Avokati i Popullit ka konstatuar shkelje serioze të së drejtës për privatësi dhe të konfidencialitetit mjekësor në rastin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgimin e Durrësit.
Sipas raportit, praktika aktuale e shoqërimit të të paraburgosurve gjatë ekzaminimeve mjekësore jashtë institucioneve të vuajtjes së dënimit cenon standardet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Institucioni thekson se legjislacioni në fuqi nuk parashikon praninë e detyrueshme të policisë gjatë kontrolleve mjekësore jashtë burgut, siç kërkohet aktualisht nga Urdhri Nr. 651 i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Shkelje e konfidencialitetit mjekësor
Avokati i Popullit vlerëson se prania e vazhdueshme e punonjësve të policisë gjatë ekzaminimeve mjekësore cenon jetën private dhe sekretin mjekësor të të paraburgosurve, duke shkelur parimin bazë të marrëdhënies mjek–pacient. Sipas raportit, ekzaminimet mjekësore duhet të kryhen në privatësi të plotë, ndërsa prania e policisë duhet të jetë përjashtim dhe jo rregull.
Institucioni nënvizon se kufizimi i privatësisë lejohet vetëm në raste të jashtëzakonshme sigurie, kur këtë e kërkon shprehimisht mjeku ose kur ekziston një rrezik i dokumentuar nga ana e strukturave përkatëse.
Rrezik shkeljeje të Konventës Evropiane
Në raport theksohet se praktika aktuale mund të përbëjë shkelje të nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që garanton të drejtën për respektimin e jetës private dhe familjare. Në raste të përsëritura ose poshtëruese, kjo praktikë mund të cilësohet edhe si shkelje e nenit 3 të Konventës, që ndalon trajtimin çnjerëzor ose degradues.
Avokati i Popullit sjell në vëmendje edhe udhëzimet e Këshillit të Evropës mbi Rregulloren Evropiane të Burgjeve, ku theksohet se stafi shëndetësor në burgje duhet të veprojë me pavarësi të plotë klinike dhe të respektojë në çdo rast konfidencialitetin mjekësor.
Rekomandimi zyrtar
Për këto arsye, Avokati i Popullit i ka kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve ndryshimin e menjëhershëm të Urdhrit Nr. 651, datë 21.01.2019, për procedurat e transportimit dhe shoqërimit të të burgosurve. Sipas rekomandimit, masat e sigurisë gjatë ekzaminimeve mjekësore jashtë IEVP-ve duhet të përcaktohen në bazë të një vlerësimi individual të rrezikut dhe në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare për dinjitetin njerëzor, privatësinë dhe konfidencialitetin mjekësor.
Institucioni kërkon që Drejtoria e Burgjeve të informojë zyrtarisht Avokatin e Popullit brenda afatit ligjor 30-ditor mbi masat që do të ndërmerren për zbatimin e këtij rekomandimi.
