Dosjet që lidhen me Portin e Durrësit dhe Portin e Porto Romanos pritet të jenë ndër çështjet më tronditëse për opinionin publik, pasi dyshohet se këto pika strategjike janë përdorur ose synuar të përdoren nga grupe kriminale për trafikun ndërkombëtar të drogës.
Kështu u shpreh moderatorja dhe gazetarja Anduena Llabani, e cila deklaroi se ekzistojnë dyshime serioze se këto projekte mund të kenë shërbyer interesave të karteleve të krijuara nga shqiptarë në bashkëpunim me grupe të njohura kriminale nga Meksika.
Sipas saj, Porti i Durrësit dhe ai i Porto Romanos përfaqësojnë një “deep state” tjetër, ku përplasen interesa të mëdha ekonomike, politike dhe kriminale. Llabani theksoi se këto dosje mund të hedhin dritë mbi lidhjet e errëta mes pushtetit dhe krimit të organizuar, duke testuar seriozisht vullnetin e drejtësisë.
Gazetarja nënvizoi gjithashtu se Prokuroria e Posaçme funksionon nën masa të forta sigurie. Sipas saj, godina e SPAK është e monitoruar në çdo detaj, që nga dokumentet e dorëzuara, lëvizjet e automjeteve, deri te kontrolli i perimetrit përreth.
“Ka prokurorë në SPAK që nuk kanë frikë”, deklaroi Llabani, duke shtuar se ekziston edhe një trupë e posaçme për mbrojtjen fizike të prokurorëve, për shkak të ndjeshmërisë dhe rrezikshmërisë së çështjeve që ata hetojnë.
Sipas saj, dosjet e porteve pritet të jenë një provë e fortë nëse drejtësia do të shkojë deri në fund për të zbardhur lidhjet mes krimit të organizuar dhe strukturave të pushtetit.
