Ish kreu i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi është paraqitur ditën e djeshme në Prokurorinë e Posaçme. 4 orë ka zgjatur dëshmia e tij në SPAK, ndërsa në dalje të Prokurorisë së Posaçme Roshi tha se nuk mund të flasë për shkak të hetimeve. Thirrja e Roshit në SPAK mund të ketë lidhje me një kallëzim të Këshillit të Lartë të Shtetit, gjatë auditit të vitit 2013-2014, në kohën kur kreu i bashkisë së Kavajës ishte Roshi. Në këtë auditim, u gjetën disa parregullsi në fushën e Urbanistikës dhe prokurimeve të fondeve publike me dëm ekonomik në vlerën 33 milion lekë. Më herët Gjykata e Durrësit kishte pushuar procedimin penal ndaj ish-kryebashkiakut socialist. Megjithatë Gjykata e Posaçme ka marrë vendimin që dosja e ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi, i akuzuar për shpërdorim detyre, t’i kalojë Prokurorisë së Posaçme.
Çfarë ka ndodhur?
Më 28 mars, Gjykata e Posaçme Antikorrupsion i kërkoi SPAK që të hetojë Elvis Roshin, pas kallëzimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Thirrja e tij vjen pak javë, pasi Gjykata e Posaçme urdhëroi SPAK që të vijojë hetimet ndaj ish-kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, që u largua nga detyra për shkak të ligjit të dekriminalizimit. Elvis Roshi akuzohet se kishte fshehur rekordet kriminale jashtë vendit, ndërsa u hetua më herët nga Prokuroria e Durrësit, e cila vendosi pushimin e hetimeve. Por Durrësi ia transferoi çështjen Gjykatës së Posaçme, e cila tashmë ka vënë në lëvizje SPAK-un. “Në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në datë 30.11.2023, është regjistruar kërkesa penale me nr. 23/113 akti, ardhur për shkak të deklarimit të mos kompetencës lëndore nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me objekt: “Pushimin e procedimit penal nr. 317 të vitit 2017, të regjistruar pa autor për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal”, me palë kërkuese Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës dhe kallëzues Kontrolli i Lartë i Shtetit. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, bazuar në nenet 112, 75/a, 128, 128/a, 329, 329/a, 329/b e vijues të Kodit të Procedurës Penale, me vendimin nr. 23, datë 26.03.2024, vendosi: Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me objekt: Pushimin e procedimit penal nr.317 të vitit 2017, të regjistruar për veprën penale “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 të K. Penal. Kalimin e akteve që ndodhen pranë kësaj gjykate, të përcjella nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për vijimin e hetimeve, Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, thuhet në njoftimin zyrtar.
