PARADISIN! Ishulli legjendar i Koralëve të Mëdha shitet për 1.2 MILIARDË DOLLARË

Data

Një nga parajsat më të famshme turistike në botë ka ndryshuar pronar për një shifër marramendëse. Ishulli Hamilton, destinacion ikonë pushimesh në Koralet e Mëdha të Australisë dhe simbol i turizmit tropikal botëror, është shitur për plot 1.2 miliardë dollarë, duke u renditur ndër shitjet më të mëdha turistike në historinë e vendit.

Resorti luksoz i ishullit është blerë nga firma amerikane e kapitalit privat Blackstone, me seli në Nju Jork, në pritje të miratimit rregullator. Marrëveshja është arritur me familjen Otley, e cila për dekada me radhë e ka shndërruar Hamiltonin në një ikonë të pushimeve luksoze.

Kompania blerëse deklaroi se synon të investojë në suksesin afatgjatë të ishullit, banorëve të tij dhe bizneseve lokale. Blackstone zotëron tashmë hotele dhe resorte luksoze në disa nga destinacionet më ekskluzive të botës, duke e shtuar Ishullin Hamilton në portofolin e saj global.

Ish-pronari, miliarderi dhe sipërmarrësi Robert Otley, e bleu resortin për rreth 200 milionë dollarë në vitin 2003. Vetëm dy dekada më vonë, vlera e ishullit është shumëfishuar, duke reflektuar rritjen e jashtëzakonshme të turizmit luksoz në Australi.

Ishulli ndodhet rreth 900 kilometra në veri të Brisbane dhe 500 kilometra në jug të Cairns, në bregdetin tropikal të Queensland. Resorti shtrihet në dy ishuj me një sipërfaqe totale prej 11.3 kilometrash katrorë, nga të cilat vetëm 30% janë të zhvilluara.

Kompleksi përfshin pesë hotele, mbi 20 restorante dhe bare, rreth 20 pika tregtare, një fushë golfi në ishullin fqinj Dent, një marinë moderne dhe madje edhe aeroport, duke e bërë ishullin një qytet turistik më vete.

Zhvillimi i shpejtë i Hamiltonit nisi në vitet ’80, kur ishulli ishte thuajse i panjohur dhe priste vetëm pushues vendas. Sot, ai konsiderohet gjerësisht si “ishulli tropikal i Australisë”, një simbol luksi, natyre dhe investimesh marramendëse.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related