Krijohet Shoqata e Prokurorëve të Shqipërisë, Gëzim Spahiu zgjidhet kryetar i parë

Data

Pas një procesi të gjatë konsultimesh me prokurorë nga të gjitha zyrat e prokurorisë në vend, është themeluar zyrtarisht Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë. Kjo strukturë është ngritur në përputhje me ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” dhe do të funksionojë si një organizatë profesionale, jofitimprurëse dhe e pavarur.

Shoqata e Prokurorëve përfaqëson organizatën e parë të këtij lloji të krijuar pas zbatimit të Reformës në Drejtësi, duke vepruar brenda kornizës së re kushtetuese dhe ligjore që rregullon funksionimin e sistemit prokurorial. Qëllimi i saj është të shërbejë si një platformë e qëndrueshme profesionale për trajtimin e çështjeve që lidhen me statusin, funksionin dhe pavarësinë e prokurorëve në Shqipëri.

Në një kohë kur sistemi i drejtësisë përballet me sfida të vazhdueshme, shoqata synon të ofrojë një qasje më të organizuar dhe më aktive nga vetë trupa e prokurorëve. Misioni kryesor i saj është mbrojtja e pavarësisë, integritetit dhe statusit profesional të prokurorëve, si dhe forcimi i rolit të tyre në garantimin e shtetit të së drejtës dhe funksionimit të drejtësisë në një shoqëri demokratike.

Shoqata pritet të angazhohet edhe në proceset ligjbërëse dhe vendimmarrëse që lidhen me drejtësinë, duke dhënë kontribute profesionale dhe duke mbajtur, kur është e nevojshme, qëndrime institucionale dhe publike. Po ashtu, një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet dialogut dhe bashkëpunimit me institucionet shtetërore, shoqërinë civile, mediat dhe aktorë të tjerë relevantë.

Në përbërje të saj, Shoqata e Prokurorëve ka prokurorë nga të gjitha zyrat e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë, të cilët janë angazhuar sipas fushave dhe eksperiencës përkatëse. Në krye të saj, për mandatin e parë, është zgjedhur prokurori Gëzim Spahiu, i cili do të drejtojë shoqatën në fazën e parë të konsolidimit dhe funksionimit të saj institucional.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related