Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar qytetarët se të mërkurën, më 24 dhjetor, do të ketë bllokim të përkohshëm të një segmenti rrugor që përdoret për lëvizjen drejt Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar, rruga në fshatin Kastrat të Kurshumlisë do të jetë e bllokuar për qarkullim nga ora 11:50 deri në 15:50, për shkak të aktiviteteve të paralajmëruara nga banorët lokalë.
Po ashtu, autoritetet bëjnë me dije se bllokime të tjera janë planifikuar edhe:
- më 27 dhjetor, nga ora 11:52 deri në 18:52
- më 3 janar 2026, nga ora 09:00 deri në mesnatë
Qytetarët e Republikës së Kosovës që kanë planifikuar udhëtime drejt vendlindjes ose tranzit nëpër këtë segment rrugor këshillohen të planifikojnë lëvizjet me kohë dhe të përdorin rrugë alternative, për të shmangur pritjet, vonesat apo pengesat në qarkullim.
Gjatë festave të fundvitit, fluksi i lëvizjeve rritet ndjeshëm pasi shumë qytetarë të Kosovës që jetojnë jashtë vendit udhëtojnë drejt vendlindjes duke kaluar edhe përmes Serbisë.
Sipas të dhënave të fundit zyrtare, pritjet në pikat kufitare për hyrje në Kosovë janë disa minutëshe, ndërsa në pikën e Jarinjës regjistrohet pritja më e madhe, deri në rreth dhjetë minuta.
