Policia e Tiranës ka finalizuar një operacion të gjerë antidrogë, duke goditur një grup kriminal të strukturuar që merrej me shpërndarjen dhe shitjen e lëndëve narkotike në disa zona të kryeqytetit. Gjatë aksionit janë identifikuar 33 persona si pjesë e rrjetit, ndërsa 22 prej tyre janë vënë në pranga.
Operacioni, i koduar “Labirinti 2”, u zhvillua pas rreth 4 javësh hetime nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës. Sipas policisë, anëtarët e grupit vepronin individualisht ose në nëngrupe, duke përdorur metoda të ndryshme për të kamufluar aktivitetin kriminal.
Të arrestuarit
Renaldo Dalipi (32), Engelbert Pjetri (33), Armandi Hajdini (43), Olsi Mici (32), Fatjon Cela (34), Xhon Boci (31), Laert Murataj (23), Artan Pullazi (47), Erald Sina (39), Blerim Mali (34), Gentjan Vercani (39), Valerjos Bushi (19), Olkid Hajdari (35), Dylber Alijaj (39), Angjelos Mema (23), Majdi Musa (19), Jurgen Hekurani (29), Erdison Gjella (31), Abdurahman Bollati (20), Klodian Rrucaj (27), Indri Nakaj (22) dhe Genti Kraja (20).
Gjatë fazës hetimore janë arrestuar edhe 5 persona të tjerë, ndërsa 6 shtetas mbeten në kërkim.
Çfarë u sekuestrua
•10 kg kanabis dhe 100 doza të gatshme për shitje
•Rreth 500 gramë kokainë
•5 automjete
•28 telefona celularë
•6 peshore elektronike
•3 000 euro cash
Zonat e shtrirjes së aktivitetit
Hetimet zbuluan se droga shpërndahej në një hartë të gjerë të Tiranës, përfshirë: Bllokun, Kamzën, Laprakën, Selitën, Tiranën e Re, Shkozën, Ali Demin, Xhamllikun, Pazarin e Ri, Shkollën e Kuqe, Astirin, Myslym Shyrin dhe Komunën e Parisit.
Sipas policisë, lëndët narkotike shiteshin në lokale, tabakino, mjete taksi, si edhe të kamufluara si shpërndarje porosish.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, ndërsa puna vijon për kapjen e personave në kërkim dhe dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal.
