Një shtetas shqiptar 40-vjeçar është arrestuar dhe dënuar në Francë pasi u kap duke transportuar rreth 38.5 kilogramë kokainë, me një vlerë të përllogaritur në treg prej 1.543.000 euro.
Ngjarja ka ndodhur më 11 nëntor 2025, në rrugën kombëtare nr. 9, pranë qytetit Béziers, ku automjeti që drejtohej nga shqiptari u ndalua për kontroll nga brigada e mbikëqyrjes së brendshme të doganave të Montpellier-it. Sipas autoriteteve franceze, ai po udhëtonte i vetëm me një automjet të tipit kamper, të marrë me qira në Gjermani.
Gjatë kontrollit të detajuar të mjetit, forcat e rendit zbuluan 35 pako të mbështjella me celofan dhe të mbyllura hermetikisht, të fshehura në çatinë e automjetit, nën një dyshek të vendosur aty. Analizat konfirmuan se pakot përmbanin kokainë.
Sipas prokurorit të Béziers-it, Arnaud Faugère, i dyshuari u vendos menjëherë në ndalim policor, por ka mohuar çdo përgjegjësi për posedimin dhe transportin e lëndës narkotike. Ai ka deklaruar se automjeti, me të cilin po udhëtonte nga Spanja drejt Gjermanisë, ishte ngarkuar pa dijeninë e tij.
Më 14 nëntor 2025, shtetasi shqiptar u paraqit para prokurorisë së Béziers-it për veprat penale të transportit, posedimit, blerjes dhe importimit të lëndëve narkotike, si dhe për shkelje doganore që lidhen me mbajtjen e mallrave të rrezikshme për shëndetin publik. Në të njëjtën ditë, gjyqtari i lirive dhe ndalimit vendosi masën arrest me burg.
Edhe pse rezultonte pa precedentë penalë në Francë, më 22 dhjetor 2025, ai u gjykua me procedurë të përshpejtuar nga Gjykata Penale e Béziers-it, e cila e dënoi me 5 vite burg efektiv, me vijim të paraburgimit.
Gjithashtu, gjykata vendosi ndalim hyrjeje në territorin francez për 5 vite, si dhe konfiskimin e plotë të provave materiale, përfshirë automjetin dhe lëndën narkotike të sekuestruar.
