Raporti për Shqipërinë/ FMN paralajmëron: “Paqja Fiskale” rrezikon të minojë progresin në administrimin tatimor

Data

Raporti më i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar vlerëson se Shqipëria vijon të shënojë një nga normat më të larta të rritjes ekonomike në Europë, e mbështetur nga turizmi, inflacioni i ulët, borxhi publik në rënie dhe rezerva të forta valutore.

Sipas FMN-së, rritja ekonomike pritet të mbetet e qëndrueshme në nivelin 3,5% në vitin 2025 dhe 3,6% në vitin 2026, e nxitur kryesisht nga konsumi privat dhe performanca pozitive e sektorit të turizmit. Institucioni thekson se ekonomia shqiptare e ka tejkaluar tashmë nivelin e saj para pandemisë, falë kombinimit të politikave fiskale dhe monetare të përshtatshme.

Inflacioni parashikohet të rritet gradualisht nga 2,2% në vitin 2025 drejt objektivit prej 3% në gjysmën e dytë të vitit 2026, në kushtet e një tregu pune të shtrënguar dhe rritjes së pagave. Ndërkohë, deficiti i llogarisë korrente pritet të jetë 2,8% e PBB-së në vitin 2025 dhe të zgjerohet gradualisht në rreth 3,5% të PBB-së në afatin e mesëm, për shkak të rritjes së importeve të nxitura nga të ardhurat më të larta dhe investimet publike.

FMN vlerëson se disiplina fiskale ka kontribuar në një ulje të ndjeshme të borxhit publik, i cili pritet të bjerë nën 50% të PBB-së, ndërsa rezervat e forta valutore kanë përmirësuar pozicionin e jashtëm të vendit. Në këtë kuadër, raporti nënvizon se Shqipëria po avancon reforma me synimin për anëtarësimin në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.

Megjithatë, FMN paralajmëron se rreziqet për perspektivën ekonomike janë zhvendosur drejt kahut negativ. Tensionet gjeopolitike, përshkallëzimi i masave tregtare, luhatjet e çmimeve të mallrave dhe paqëndrueshmëria në tregjet financiare globale mund të ndikojnë negativisht te partnerët kryesorë tregtarë dhe kërkesa e jashtme. Në planin e brendshëm, rënia e popullsisë në moshë pune pritet të ushtrojë presione shtesë mbi tregun e punës dhe inflacionin.

Për të ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe për të mbyllur boshllëqet e reformave me Bashkimin Evropian, FMN thekson se reformat e brendshme në kohë janë thelbësore. Prioritet mbetet ruajtja e rezervave fiskale përmes mobilizimit të qëndrueshëm të të ardhurave, përmirësimit të administrimit tatimor, modernizimit të sistemit të taksës së pronës dhe rritjes së transparencës e cilësisë së shpenzimeve publike.

Në këtë kontekst, FMN shpreh shqetësim të veçantë për nismën e “Paqes Fiskale”. Sipas Bordit të FMN-së, kjo marrëveshje, e cila ofron falje borxhesh dhe rivlerësim preferencial të pasqyrave financiare, rrezikon të minojë progresin e arritur më parë në administrimin dhe përputhshmërinë tatimore.

Në fushën e politikës monetare, FMN vlerëson se qëndrimi aktual i Bankës së Shqipërisë është i përshtatshëm, por nënvizon se banka qendrore duhet të jetë e gatshme të reagojë shpejt ndaj zhvillimeve të tregut, veçanërisht nëse presionet nga rritja e pagave rezultojnë më të forta se parashikimet. Po ashtu, rekomandohet fleksibilitet më i madh i kursit të këmbimit dhe përdorim më aktiv i normave të interesit për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.

Sa i përket sektorit financiar, FMN thekson nevojën për monitorim të kujdesshëm të rreziqeve që lidhen me kreditimin në pasuri të paluajtshme, ekspozimet ndaj valutës së huaj dhe borxhin sovran, si dhe forcimin e mbikëqyrjes bankare.

Në planin afatmesëm, FMN nënvizon se konvergjenca e të ardhurave me Bashkimin Evropian kërkon reforma të thella strukturore, veçanërisht në rritjen e produktivitetit, zhvillimin e kapitalit njerëzor, përmirësimin e tregut të punës, forcimin e qeverisjes dhe luftën kundër korrupsionit. Konsultimi i ardhshëm sipas Nenit IV pritet të zhvillohet në ciklin standard 12-mujor.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related