EMRAT/ Mashtronin shtetas të huaj me investime false në Forex, Prokuroria e Tiranës çon në gjyq 7 persona – si funksiononte skema

Data

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtatë persona, të akuzuar për mashtrim të shtetasve të huaj, kryesisht italianë, përmes premtimeve për investime fitimprurëse në bursën Forex.

Të pandehurit janë: Bekim Byberi, Klaudio Demiri, Jani Janko, Andi Lleshaj, Ervis Alcani, Gjergji Rebi dhe Lindis Shkalla. Sipas hetimeve, ata ushtronin aktivitetin mashtrues në ambientet e shoqërisë “OZAR” sh.p.k., përmes një strukture të organizuar në formën e një call center-i.

Nga aktet hetimore rezulton se të pandehurit kontaktonin shtetas të huaj dhe i bindnin të investonin shuma të ndryshme parash, duke u premtuar fitime të larta financiare. Ndër viktimat janë edhe shtetasit italianë me iniciale L.C. dhe S.S., të cilët kanë kryer transferta bankare me vlera të konsiderueshme.

Si funksiononte skema e mashtrimit

Nga këqyrja e telefonave të sekuestruar dhe aplikacionit WhatsApp, janë zbuluar komunikime ku viktimave u kërkoheshin shuma parash për investime të rreme në Forex. Në një rast konkret, shtetasi me iniciale L.C. ka kryer një transfertë prej 8,700 euro, pasi kishte nënshkruar një kontratë që parashikonte një investim prej 100,000 euro.

Më pas, këtij shtetasi i është kërkuar një pagesë shtesë prej 3,500 euro, me pretendimin se bëhej fjalë për një penalitet për shkak të vonesës së transfertës së parë. Në komunikimet e zbardhura, viktima shpreh dyshime se bëhej fjalë për një mashtrim të organizuar.

Rolet e të pandehurve

Sipas Prokurorisë, të pandehurit kishin role të ndara në funksionimin e skemës. Gjergji Rebi ishte i përfshirë në ndjekjen e klientëve dhe koordinimin e operatorëve, ndërsa Lindis Shkalla kishte rol drejtues në organizimin e brendshëm, duke dhënë udhëzime dhe ndarë detyra.

Ervis Alcani figuronte si administrator ligjor i shoqërisë “OZAR” sh.p.k., ndërsa përgjegjësia e tij lidhet me mosmarrjen e masave për të parandaluar përdorimin e shoqërisë për veprimtari të paligjshme. Andi Lleshaj merrte pjesë drejtpërdrejt në veprimet mashtruese, ndërsa Bekim Byberi dhe Klaudio Demiri rezultojnë se kishin dijeni të plotë për natyrën mashtruese të aktivitetit. Jani Janko ishte përgjegjës për mbikëqyrjen teknike të operatorëve dhe supervizorëve.

Prokuroria thekson se veprimtaria mashtruese është kryer me dashje të drejtpërdrejtë dhe me qëllim përfitimi pasuror, ndërsa hetimet vijojnë edhe në një procedim të veçantë për raste të tjera mashtrimi dhe për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale, në bashkëpunim me autoritetet e huaja.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related