Dosja e AKSHI-t trondit shtetin: Si u grabitën dhjetëra miliona euro nga tenderë fiktivë dhe dhunë ndaj konkurrentëve

Data

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme kanë zbuluar një skemë të gjerë abuzimi në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), përmes së cilës dhjetëra miliona euro dyshohet se janë përvetësuar nga fondet publike përmes prokurimeve të manipuluara, konkurrencës së rreme dhe dhunës ndaj konkurrentëve.

Në shtator të vitit 2023, Ergys Agasi themeloi kompaninë “EA Solutions” me kapital fillestar simbolik prej 1 mijë lekësh. Brenda më pak se katër muajsh, kompania deklaroi të ardhura mbi 240 milionë lekë dhe fitime gati totale, me një normë fitimi rreth 96 për qind. Prokuroria e cilëson këtë si një sukses financiar të pashpjegueshëm në kushte normale tregu dhe e lidh drejtpërdrejt me manipulimin e tenderëve publikë.

Sipas hetimit, kompania nuk kishte aktivitet real, investime apo staf proporcional me xhiron e deklaruar. Dyshohet se ajo shërbente si strukturë fiktive për qarkullimin e parave të përfituara nga kontrata publike të fryra artificialisht. Në vendimin e gjykatës theksohet se mungojnë blerjet bazë të pajisjeve, programeve apo shërbimeve që do të justifikonin të ardhurat e mëdha.

Në qendër të dosjes janë edhe kompani të tjera të lidhura me tenderët e AKSHI-t, të cilat kanë shfaqur norma fitimi jashtë çdo logjike ekonomike. Një prej tyre, “Soft & Solution”, nga një kompani me fitime modeste deri në vitin 2020, u shndërrua brenda pak vitesh në një nga përfituesit kryesorë të fondeve publike, me dhjetëra miliona euro të ardhura dhe fitime shumë të larta.

Prokuroria konkludon se ky “sukses” nuk lidhet me inovacion teknologjik, por me skema të qëllimshme për kufizimin e konkurrencës. Një prej mekanizmave ishte përdorimi i pajisjeve dhe certifikatave të sigurisë si kritere formale, të vendosura pa arsye ligjore, vetëm për të skualifikuar ofertuesit e tjerë dhe për të paracaktuar fituesin.

Dosja përshkruan edhe elementë të rëndë kriminalë, përfshirë rrëmbimin dhe kërcënimin e një biznesmeni konkurrent, i cili kishte ankimuar tenderët. Ai u detyrua me dhunë të tërhiqej nga procedurat ligjore, duke i hapur rrugë fitimit të kontratave nga kompanitë e favorizuara.

SPAK e cilëson për herë të parë manipulimin e prokurimeve publike si veprimtari të krimit të organizuar. Drejtues të AKSHI-t janë marrë të pandehur, ndërsa disa biznesmenë janë vënë nën masa sigurie. Sipas prokurorëve, skema ka funksionuar për vite me radhë, duke dëmtuar rëndë buxhetin e shtetit dhe duke cenuar konkurrencën e ndershme.

Hetimet vijojnë, ndërsa dosja konsiderohet një nga më të rëndat për nga shtrirja, shumat financiare dhe lidhja e drejtpërdrejtë mes administratës publike, biznesit dhe strukturave kriminale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related