Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj pesë personaliteteve evropiane, mes të cilëve edhe ish-komisioneri i Bashkimit Evropian për Tregun e Brendshëm, Thierry Breton. Sipas vendimit të autoriteteve amerikane, Bretonit i është ndaluar hyrja në territorin e SHBA-së.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka justifikuar masat duke deklaruar se veprimet e këtyre individëve përbëjnë forma “censure” dhe dëmtojnë interesat amerikane, veçanërisht ato që lidhen me platformat teknologjike me bazë në Shtetet e Bashkuara.
Në një reagim publik në rrjetet sociale, Thierry Breton e ka cilësuar vendimin si presion politik. “A është kthyer gjuetia e shtrigave e McCarthy-t?”, shkroi ai, duke iu referuar periudhës së ndjekjeve antikomuniste në SHBA gjatë viteve ’50.
Breton mbrojti ligjin e promovuar prej tij, Digital Services Act, për të cilin Uashingtoni pretendon se ka dëmtuar interesat amerikane. Sipas tij, ky ligj është miratuar në mënyrë demokratike dhe me mbështetje të gjerë në Bashkimin Evropian. Ai theksoi se 90 për qind e Parlamentit Evropian, si dhe të gjitha 27 shtetet anëtare të BE-së, kanë votuar pro këtij legjislacioni. “Miqve tanë amerikanë u themi se censura nuk është aty ku mendoni se është”, deklaroi Breton.
Nga ana tjetër, Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, njoftoi se Departamenti i Shtetit po ndërmerr veprime të drejtpërdrejta kundër pesë individëve që, sipas tij, kanë udhëhequr përpjekje të organizuara për të detyruar platformat amerikane të censurojnë pikëpamje që nuk përputhen me bindjet e tyre.
Rubio i cilësoi personat e sanksionuar si “aktivistë radikalë” dhe theksoi se veprimet e tyre, përfshirë përdorimin e organizatave joqeveritare, kanë synuar drejtpërdrejt kompani amerikane. Sipas tij, prania ose aktiviteti i këtyre individëve në SHBA mund të ketë pasoja serioze negative për politikën e jashtme amerikane.
