“Evropa duhet të jetë në gatishmëri” – Ministri i Jashtëm gjerman paralajmëron: Rusia mund të bëjë paqe në Ukrainë për të sulmuar një vend të NATO-s

Data

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johannes Vandeful, ka paralajmëruar se Rusia mund të përdorë një armëpushim të mundshëm në Ukrainë për të përshpejtuar përgatitjet ushtarake dhe për të sulmuar një vend të NATO-s, duke bërë thirrje që Evropa dhe Aleanca të jenë në gatishmëri të plotë.

Duke folur për mediat gjermane, Vandeful theksoi se nuk dëshiron të spekulojë mbi mënyrën se si mund të ndodhë një skenar i tillë, por theksoi se përgatitja është e domosdoshme.

“Mund t’ju këshilloj vetëm të përgatitemi për mundësinë që diçka e tillë të ndodhë”, u shpreh ai.

Sipas ministrit, NATO po zgjeron strukturat e saj mbrojtëse, ndërsa Gjermania po riorganizon forcat e armatosura, duke rritur numrin e ushtarëve dhe kapacitetet ushtarake, për t’u përballur me çdo kërcënim të mundshëm nga Rusia.

Vandeful paralajmëroi se Evropa nuk duhet të bjerë në vetëkënaqësi edhe nëse përpjekjet për një armëpushim në Ukrainë rezultojnë të suksesshme.

“Siguria në Evropë do të varet nga Rusia për një kohë të gjatë. Moska mund të mbahet larg vetëm nga një pozicion force, uniteti brenda NATO-s dhe forca të armatosura të afta”, tha ai.

Ai shtoi se çdo sukses i qëndrueshëm ushtarak i Rusisë në Ukrainë do të përbënte një kërcënim serioz për Aleancën Atlantike, duke nënvizuar se mbështetja për Kievin mbetet një interes thelbësor i sigurisë për Gjermaninë dhe Evropën.

Më herët, edhe ministri gjerman i Mbrojtjes kishte vlerësuar se Rusia mund të jetë në gjendje të sulmojë një vend të NATO-s në krahun lindor të aleancës deri në vitin 2029, pas rindërtimit të forcave të saj ushtarake.

Në këtë kontekst, Vandeful theksoi rëndësinë e garancive të besueshme të sigurisë për Ukrainën, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara, në rast të një armëpushimi. Ai shtoi se Ukraina mund të detyrohet të bëjë lëshime, përfshirë edhe territoriale, vetëm nëse këto shoqërohen me garanci të forta sigurie nga Perëndimi.

“Moska mund të duket e gatshme për negociata, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht gatishmëri reale për paqe”, përfundoi ministri gjerman.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related