Sulmi tronditës në një shkollë në Zagreb: 20-vjeçari dënohet me 50 vjet burg për vrasjen e nxënësit dhe plagosjen e katër personave

Data

Një gjykatë në Kroaci ka dënuar me 50 vjet burg, dënimin maksimal të parashikuar nga ligji, një 20-vjeçar i cili në fund të vitit 2024 vrau me thikë një nxënës dhe plagosi tre të tjerë, si edhe një mësuese, në një shkollë fillore në Zagreb.

Vendimi u dha nga Gjykata Rajonale e Zagrebit, ndërsa seanca u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak të ndjeshmërisë së çështjes. Zëdhënësi i gjykatës, Krešimir Devçiç, konfirmoi se trupi gjykues e shpalli të pandehurin fajtor dhe vendosi dënimin më të rëndë të mundshëm.

Ngjarja e rëndë kishte ndodhur më 20 dhjetor 2024 në një shkollë fillore në lagjen Preçko, pranë qendrës së kryeqytetit kroat. Autori, ish-nxënës i këtij institucioni, hyri i armatosur me thikë në ambientet e shkollës dhe sulmoi nxënësit.

Si pasojë e sulmit, një fëmijë 7-vjeçar humbi jetën në vend, ndërsa tre nxënës të tjerë u plagosën. Gjatë ndërhyrjes për të ndalur sulmin, u plagos edhe një mësuese.

Pas aktit, autori, i cili në atë kohë ishte 19 vjeç, tentoi të vetëvritej. Ai u arrestua dhe u vu në ndjekje penale për vrasje dhe plagosje të rëndë.

Gjykata vlerësoi se ashpërsia e veprës, numri i viktimave dhe rrezikshmëria shoqërore e autorit e bënin të domosdoshëm aplikimin e dënimit maksimal, duke theksuar se ky vendim ka edhe funksion parandalues.

Autoritetet kroate kanë bërë të ditur se një ngjarje e tillë nuk kishte ndodhur më parë në një institucion arsimor në vend, duke e cilësuar sulmin si një nga episodet më të rënda kriminale në historinë e Kroacisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related