Pas vendosjes së saj në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, ka firmosur delegimin e kompetencave drejtuese të institucionit.
Sipas urdhrit administrativ, drejtimi i AKSHI-t dhe kompetencat e Titullarit të Autoritetit Kontraktor i janë deleguar Romina Kostanit, e cila mban edhe postin e Drejtoreshës së Koordinimit të Agjendës Digjitale dhe Projekteve e-Gov me fonde të huaja.
Ndërkohë, çështjet që lidhen me sigurinë kibernetike do të administrohen nga:
- Enis Ylli, Drejtor i Drejtorisë së Monitorimit dhe Mbrojtjes Kibernetike për Sistemet dhe Infrastrukturat e-Gov
- Marko Cela, Drejtor i Drejtorisë së Infrastrukturës e-Gov
Sipas dokumentit, delegimi i kompetencave ka hyrë në fuqi më 18 dhjetor 2025 dhe do të mbetet aktiv deri në shfuqizimin e urdhrit.
Akuzat ndaj drejtuesve të AKSHI-t
Mirlinda Karçanaj dhe zëvendësja e saj Hava Delibashi janë nën hetim si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, të dyshuara për manipulim tenderash, shkelje të barazisë në prokurime publike dhe bashkëpunim kriminal. Të dyja ndodhen në masën arrest në shtëpi.
Hetimet e SPAK përfshijnë edhe zyrtarë të tjerë dhe administratorë kompanish private, të dyshuar për:
- konkurrencë të paligjshme përmes dhunës
- detyrim të subjekteve për të tërhequr ankimimet
- faturime fiktive dhe pastrim parash
Sipas prokurorisë, skema kriminale ka favorizuar kompani të paracaktuara në tendera strategjikë të AKSHI-t, duke dëmtuar rëndë konkurrencën dhe interesin publik.
