Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka rritur tonet ndaj Venezuelës dhe presidentit Nicolás Maduro, duke deklaruar se do të ishte “një lëvizje e zgjuar” nëse ky i fundit do të largohej nga pushteti. Deklarata u bë gjatë një prononcimi për gazetarët, pas sekuestrimit të një sasie nafte venezueliane në det të hapur.
Trump la të hapur mundësinë që SHBA të mbajnë ose të shesin naftën e sekuestruar, duke theksuar se presioni amerikan ndaj Karakasit mund të sjellë zhvillime politike. I pyetur drejtpërdrejt nëse synimi i Uashingtonit është rrëzimi i Maduros, Trump u përgjigj se “kjo mund të ndodhë”, duke shtuar se “varet nga vetë ai”.
“Mendoj se do të ishte e zgjuar për të ta bënte këtë. Nëse dëshiron të luajë ashpër, mund të jetë hera e fundit që është në gjendje ta bëjë ndonjëherë”, deklaroi Trump.
Presidenti amerikan e përshkroi Maduron si “asnjë mik të Shteteve të Bashkuara” dhe “një person shumë të keq”, duke e akuzuar qeverinë e tij për lidhje me trafikun e kokainës drejt SHBA-së. Ai paralajmëroi se presidenti venezuelian “duhet të jetë shumë i kujdesshëm”, duke përdorur një gjuhë të fortë kërcënuese.
Nga ana tjetër, Nicolás Maduro reagoi menjëherë, duke i kthyer përgjigje Trump-it në një fjalim të transmetuar në televizionin shtetëror. Presidenti venezuelian tha se homologu i tij amerikan duhet të përqendrohet te problemet e brendshme të SHBA-së, në vend që të ndërhyjë në çështjet e Amerikës Latine.
“Presidenti Trump do të bënte më mirë nëse do të merrej me problemet ekonomike dhe sociale të vendit të tij. Do të bënte më mirë edhe për botën nëse do të përqendrohej te çështjet e SHBA-së”, u shpreh Maduro.
Deklaratat vijnë në një moment të rritjes së aktivitetit ushtarak amerikan në rajon. Fushata e presionit ndaj qeverisë së Maduros ka përfshirë një prani më të madhe ushtarake dhe dhjetëra operacione ndaj anijeve që dyshohen për trafik droge në Paqësor dhe në Detin e Karaibeve, pranë brigjeve të Venezuelës.
Tensionet mes dy vendeve mbeten të larta, ndërsa retorika e ashpër nga të dyja palët sinjalizon përshkallëzim të mëtejshëm të krizës diplomatike.
