Ish-presidenti Ilir Meta ka përcjellë një mesazh të fortë në prag të protestës kombëtare të opozitës, duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive të qytetarëve në shesh. Meta thekson se kauza që ai përfaqëson nuk mund të burgoset dhe se protesta e sotme është një betejë për liritë, dinjitetin dhe të ardhmen e vendit.
Në mesazhin e tij, Meta nënvizon se Shqipëria ndodhet përballë një regjimi që, sipas tij, ka shkatërruar familjen, ka nxitur shpopullimin dhe ka kapur institucionet e shtetit. Ai u bën thirrje qytetarëve, pa dallime partiake, të bashkohen për të kundërshtuar atë që e cilëson si një sistem kleptokratik dhe mafioz.
Ndërkohë, sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, deklaroi se shqiptarët duhet të jenë sot në këmbë për të mbrojtur të drejtat e tyre. Sipas tij, kauza që Meta përfaqëson është më e madhe se çdo individ dhe do të jetë e pranishme në shesh përmes qytetarëve.
Meta thekson se beteja nuk ka të bëjë vetëm me politikën, por me rikthimin e Shqipërisë te qytetarët e saj dhe me vendosjen e drejtësisë reale. Ai shprehet se ky mision do të përmbushet me çdo çmim dhe se protesta e sotme është një hap vendimtar në këtë drejtim.
