Pak orë para nisjes së protestës së paralajmëruar nga opozita, Policia e Shtetit ka shtuar ndjeshëm masat e sigurisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Forca të shumta policore janë dislokuar përgjatë gjithë perimetrit, ndërsa në terren janë parë edhe autoblinda me ujë.
Masat e marra synojnë garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë zhvillimit të protestës, e cila pritet të nisë rreth orës 18:00. Në gatishmëri janë efektivë të rendit, forca të ndërhyrjes së shpejtë dhe njësi të tjera mbështetëse.
Protesta kombëtare është thirrur nga Partia Demokratike, në vijim të tensioneve politike dhe akuzave të ngritura ndaj qeverisë, përfshirë skandalet që lidhen me ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve për qetësi dhe respektim të ligjit, ndërsa pritet që protesta të zhvillohet nën masa të forta sigurie.
