Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në Montreal, ku një grup personash të maskuar si Babagjyshi i Vitit të Ri dhe elfët e tij kanë vjedhur produkte ushqimore nga një supermarket, duke shkaktuar habi dhe reagime të shumta.
Sipas raportimeve, personat hynë në dyqan dhe, duke vepruar në grup, mbushën disa karroca me produkte ushqimore, të cilat i nxorën pa paguar. Vlera e artikujve të marrë llogaritet rreth 3 mijë dollarë.
Përgjegjësinë për veprimin e ka marrë një grup aktivistësh, të cilët e kanë cilësuar aktin si një formë proteste kundër rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe fitimeve të mëdha të zinxhirëve të supermarketeve. Ata pretendojnë se veprimi kishte karakter simbolik dhe synonte të tërhiqte vëmendjen ndaj vështirësive ekonomike që përballen qytetarët.
Ushqimet e marra janë shpërndarë më pas në disa lagje të qytetit, duke u lënë në hapësira publike dhe frigoriferë komunitarë, me qëllim ndihmën për familjet në nevojë gjatë festave.
Reagimet ndaj ngjarjes kanë qenë të ndara. Ndërsa disa e kanë përshëndetur si një akt solidariteti, përfaqësues të supermarketit kanë theksuar se vjedhja mbetet një vepër penale, pavarësisht motiveve të deklaruara.
Policia ka nisur hetimet dhe po shqyrton pamjet e kamerave të sigurisë, ndërsa deri më tani nuk raportohet për persona të arrestuar.
