Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përsëritur thirrjen për bashkim të të gjitha forcave opozitare në protestën kundër qeverisë, duke e cilësuar këtë moment si një betejë që shkon përtej numrave dhe interesave partiake.
Në një deklaratë për mediat, Berisha iu drejtua drejtpërdrejt Adriatik Lapajt dhe partive të tjera opozitare, duke i ftuar të bashkohen në protestën kundër asaj që ai e quan regjim të korruptuar dhe të kapur.
“Nuk matet gjithçka me numra. Historia e Shqipërisë ka treguar se pakicat e vendosura kanë fituar ndaj stërshumicave. Ne dalim në shesh me guximin e shqiptarit dhe me idealet më fisnike për të larguar këtë njeri që mori licencë nga Gjykata Kushtetuese,” u shpreh Berisha.
Ai theksoi se, edhe pse sipas tij kryeministri ka marrë një “licencë institucionale” për të vazhduar qeverisjen, ajo nuk garanton mbështetjen e qytetarëve.
“Licencën mund t’ia japë gjykata, por jo jetëgjatësinë. Jetëgjatësinë e jep populli dhe populli nuk do ta falë,” deklaroi Berisha.
Kreu i opozitës u shpreh se çdo forcë apo individ që proteston kundër qeverisë ka mbështetjen e tij, duke nënvizuar se kjo përballje është kundër një të keqeje që, sipas tij, ka kapluar shtetin.
“Lapaj ka pasur dhe do të ketë mbështetjen time për aq kohë sa është në protestë. Kushdo që proteston kundër kësaj qeverie, ka mbështetjen time. Ftesa ime për të gjitha partitë opozitare është e qartë: të bashkohemi kundër kësaj të keqeje të madhe,” tha Berisha.
Ai shtoi se secili kryetar partie ka planet e veta politike, por në këtë moment historik, sipas tij, prioritet duhet të jetë përballja e përbashkët me qeverinë.
