“Nuk ndalemi”/ Berisha paralajmëron përshkallëzim të protestave: Proces që mbyllet vetëm me largimin e Ramës

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zbuluar skenarët e protestës së sotme kombëtare, duke e cilësuar atë si nisjen e një procesi politik që nuk do të ndalet pa largimin e kryeministrit Edi Rama.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha u shpreh se protesta nuk është një akt i izoluar, por pjesë e një përballjeje të gjatë dhe të vendosur mes opozitës dhe qeverisë aktuale.

Sipas tij, opozita ka përmbushur të gjitha detyrimet institucionale dhe politike përpara se të zbresë në shesh, duke dokumentuar dhe denoncuar publikisht atë që e cilëson si korrupsion dhe kapje të shtetit nga qeveria.

“Ky është një proces inaugural. Ne zbresim në fushë pasi kemi bërë çdo detyrë tonën. Kemi faktuar çdo shkelje dhe do ta vazhdojmë këtë betejë deri në përmbysjen e regjimit,” deklaroi Berisha.

Ai kujtoi nisjen e protestave përpara Kryeministrisë, të cilat sipas tij u nënvlerësuan fillimisht, por kishin një mesazh të qartë politik. Berisha theksoi se sheshi do të kthehet në simbol të rezistencës qytetare dhe të lirisë.

Kreu i PD-së akuzoi gjithashtu qeverinë për përdorimin e institucioneve, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, për të legjitimuar atë që ai e quan vjedhje dhe abuzim me pushtetin. Sipas tij, kjo situatë ka detyruar opozitën të dalë nga korniza institucionale dhe të kërkojë zgjidhje përmes protestës qytetare.

“Kjo protestë është një ansambël i tërë veprimesh dhe qëndrimesh politike. Ajo do të ndalet vetëm në dy raste: ose me rrëzimin e Edi Ramës, ose me shuarjen e opozitës,” u shpreh Berisha.

Protesta e sotme pritet të zhvillohet në orët e mbrëmjes dhe konsiderohet nga opozita si një moment kyç në përballjen politike me qeverinë, në një klimë të tensionuar politike dhe institucionale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related