Klodian Braho ka marrë zyrtarisht detyrën si drejtues i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas kalimit të stafetës nga Altin Dumani. Në fjalën e tij të parë publike, Braho theksoi se drejtimi i SPAK nuk është një rol individual, por një përgjegjësi institucionale që shkon përtej mandateve personale.
Ai nënvizoi se prioriteti i tij kryesor do të jetë forcimi i funksionimit të brendshëm të institucionit dhe zbatimi rigoroz i ligjit, duke garantuar pavarësinë e SPAK dhe rritjen e besimit të qytetarëve te drejtësia.
“Marrja e kësaj detyre është një angazhim për respektimin e Kushtetutës, për mbrojtjen e pavarësisë së SPAK dhe për forcimin e besimit të publikut. Ky institucion është ndërtuar mbi punë, guxim dhe integritet, dhe kjo rrugë do të vijojë”, u shpreh Braho.
Kreu i ri i SPAK falënderoi paraardhësit e tij për kontributin në konsolidimin e institucionit, duke vlerësuar vendosjen e themeleve dhe forcimin e figurës së SPAK në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai theksoi gjithashtu rolin e rëndësishëm të mbështetjes ndërkombëtare në përforcimin e kapaciteteve të strukturës.
Braho bëri të qartë se SPAK do të vijojë të komunikojë në mënyrë transparente me median dhe publikun, gjithmonë brenda kufijve të ligjit, ndërsa theksoi se suksesi i institucionit varet nga puna në ekip dhe nga përkushtimi i përbashkët i prokurorëve.
“Misioni i SPAK është mbi çdo emër dhe mbi çdo mandat individual. Ne jemi një skuadër dhe do të punojmë krah për krah, me seriozitet dhe përgjegjësi, për të respektuar Kushtetutën dhe ligjin”, përfundoi Braho.
