Presidenti francez Emmanuel Macron ka konfirmuar zyrtarisht ndërtimin e një aeroplanmbajtëseje të re ultramoderne, e cila do të zëvendësojë aeroplanmbajtësen aktuale “Charles de Gaulle” dhe pritet të hyjë në shërbim në vitin 2038.
Vendimi është marrë pas një shqyrtimi të detajuar strategjik dhe në përputhje me ligjet e fundit të planifikimit ushtarak. Macron theksoi se vendimi për nisjen e këtij programi madhor është marrë këtë javë dhe se projekti përfaqëson një hap kyç për sigurinë kombëtare të Francës.
“Kjo aeroplanmbajtëse e re do të jetë simbol i fuqisë së vendit tonë, i industrisë dhe teknologjisë franceze. Do të jetë një forcë në shërbim të lirisë së lundrimit dhe sigurisë në këto kohë të trazuara”, u shpreh presidenti francez.
Përmasa gjigante dhe teknologji bërthamore
Aeroplanmbajtësja e re do të funksionojë me energji bërthamore dhe do të jetë dukshëm më e madhe se pararendësja e saj. Ajo do të ketë një zhvendosje prej mbi 80 mijë tonësh dhe një gjatësi rreth 310 metra, krahasuar me 42 mijë tonë dhe 261 metra të “Charles de Gaulle”.
Me një ekuipazh prej rreth 2 mijë marinarësh, anija do të jetë në gjendje të mbajë deri në 30 avionë luftarakë, duke rritur ndjeshëm kapacitetin operacional dhe fuqinë ushtarake të Francës në det.
Investim strategjik në një botë të pasigurt
Njoftimi për nisjen e ndërtimit të aeroplanmbajtëses së re vjen në një moment sfidues ekonomik për Francën, por autoritetet e shohin projektin si thelbësor për mbrojtjen kombëtare dhe rolin strategjik të vendit në arenën ndërkombëtare.
Përballë kërcënimeve në rritje dhe pasigurisë globale, aeroplanmbajtësja e re konsiderohet një shtyllë kyçe e strategjisë së ardhshme ushtarake franceze dhe një mesazh i qartë fuqie në detet e botës.
