Shtetet e Bashkuara kanë sekuestruar një tjetër anije pranë brigjeve të Venezuelës, në ujëra ndërkombëtare, duke shënuar operacionin e dytë të këtij lloji brenda vetëm dy ditësh.
Lajmi është konfirmuar nga dy zyrtarë amerikanë, të cilët bënë me dije se veprimi vjen në kuadër të intensifikimit të masave kundër tregtisë së naftës së Venezuelës. Ky zhvillim pason njoftimin e fundit të presidentit amerikan për një “bllokadë” ndaj të gjitha cisternave të naftës të sanksionuara që hyjnë ose dalin nga vendi latino-amerikan.
Zyrtarët, që folën në kushte anonimiteti, nuk dhanë detaje për identitetin e anijes së sekuestruar dhe as për vendndodhjen e saktë të operacionit. Megjithatë, burimet konfirmojnë se bëhet fjalë për një ndërhyrje të koordinuar në ujëra ndërkombëtare.
Një ditë më parë, SHBA njoftuan se kishin sekuestruar edhe një anije cisternë me pronësi kineze pranë brigjeve të Venezuelës, duke rritur ndjeshëm presionin ndaj qeverisë së Karakasit. Sipas raportimeve, cisterna ishte e ngarkuar me deri në dy milionë fuçi naftë bruto dhe lundronte nën flamurin e Panamasë, ndërsa ngarkesa i përkiste një kompanie kineze.
Operacionet e njëpasnjëshme sinjalizojnë një fazë më të ashpër të strategjisë amerikane për të kufizuar eksportet e naftës nga Venezuela dhe për të goditur rrjetet që, sipas Uashingtonit, ndihmojnë në anashkalimin e sanksioneve ndërkombëtare.
