Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali. Një 48-vjeçar shqiptar, emigrant prej shumë vitesh, ka humbur jetën në një aksident tragjik rrugor në zonën e Altopascio, në provincën e Luccas.
Viktima është Fatmir Muslia, i njohur nga miqtë dhe bashkëpunëtorët si Fabio, një emër që ishte kthyer në simbol respekti dhe vlerësimi për komunitetin vendas. Ai ishte shofer kamioni me profesion dhe banor në zonën Via di Vittorio.
Sipas të dhënave paraprake, Fatmiri ishte në timonin e kamionit të tij kur, për shkaqe që ende po hetohen nga autoritetet italiane, u përplas fuqishëm me një kamion tjetër në aksin rrugor të njohur si A1, pranë Calenzanos. Përplasja ishte fatale dhe, pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të shërbimeve të emergjencës, ai nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të marra.
Lajmi i vdekjes së tij ka shkaktuar dhimbje të thellë mes familjarëve, miqve dhe bashkatdhetarëve. Një ditë pas tragjedisë, dhjetëra persona u mblodhën pranë banesës së tij për t’i dhënë lamtumirën dhe për të shprehur ngushëllimet familjes. Ceremonia mortore u shoqërua me emocione të forta, ndërsa varrimi u krye në varrezat e qytetit Tau, mes pjesëmarrjes së madhe të komunitetit.
Fatmir Muslia lë pas bashkëshorten e tij, Blerinën, dhe dy fëmijët, Fabiano dhe Fabiola. Prej rreth 20 vitesh jetonte dhe punonte në Itali, ku ishte integruar plotësisht dhe njihej si një njeri punëtor, korrekt dhe gjithmonë i sjellshëm.
Miqtë e tij e përshkruajnë si një njeri me zemër të madhe, që nuk mungonte kurrë në ambientet ku frekuentonte, veçanërisht në klubet ku luante bilardo, një nga pasionet e tij të preferuara.
“Ishte gjithmonë me buzëqeshje, i respektueshëm dhe korrekt. Një njeri që të gjithë e admironin. Do na mungojë shumë,” shprehen miqtë e tij mes dhimbjes.
Një jetë e ndalur në mes, një familje e thyer dhe një komunitet në zi për humbjen e një njeriu që la gjurmë kudo ku jetoi dhe punoi.
