Aktori i njohur hollivudian George Clooney po përjeton një nga momentet më të dhimbshme të jetës së tij, pas humbjes së një prej njerëzve më të dashur të familjes.
Motra e tij e madhe, Adelia “Ada” Seidler, ka ndërruar jetë të premten, më 19 dhjetor, në moshën 65-vjeçare, pas një beteje të gjatë me kancerin. Ajo u shua në paqe, e rrethuar nga familjarët e saj më të afërt, në një qendër shëndetësore në Kentucky.
Në një deklaratë prekëse, George Clooney shprehu dhimbjen dhe admirimin e thellë për motrën e tij:
“Motra ime, Ada, ishte heroina ime. Ajo u përball me kancerin me guxim dhe humor. Nuk kam takuar kurrë një person kaq të fortë. Mua dhe Amal do të na mungojë pafundësisht.”
Adelia Seidler lindi më 2 maj 1960 dhe ishte vajza e një familjeje të njohur, por zgjodhi të jetonte larg dritave të famës. Ajo ishte një artiste e talentuar dhe punoi për shumë vite si mësuese arti në një shkollë fillore, duke ndikuar pozitivisht në jetën e shumë fëmijëve.
Gjatë studimeve u dallua për përkushtimin akademik, fitoi bursa studimi dhe ishte aktive në komunitetin artistik dhe kulturor. Përveç artit, ajo punoi edhe si kontabiliste, duke ndërtuar një jetë të qetë dhe dinjitoze.
Në vitin 1987 u martua me Norman Seidler, një kapiten në pension i Ushtrisë Amerikane, i cili ndërroi jetë në vitin 2004 nga një atak në zemër. Edhe pse pas kësaj humbjeje Ada zgjodhi të qëndronte larg vëmendjes publike, ajo ishte gjithmonë pranë familjes së saj.
Ajo mori pjesë edhe në dasmën e George Clooney me Amal në Venecia në vitin 2014, një nga momentet e rralla kur u shfaq publikisht.
Humbja e Adelia Seidler lë një boshllëk të madh në familjen Clooney, ndërsa fjalët e aktorit tregojnë një dhimbje të thellë, por edhe një dashuri të pakushtëzuar për motrën që ai e quajti gjithmonë “heroinën” e tij.
