Kryetari i Partisë “Mundësia” dhe deputeti Agron Shehaj ka bërë një denoncim të fortë publik, duke deklaruar se rasti i zhdukjes së verës me vlerë miliona euro nga kantina e Ergys Agasit është provë tronditëse e bashkëpunimit mes krimit të organizuar dhe institucioneve shtetërore.
Sipas Shehajt, disa ditë më parë prokuroria ka ushtruar kontroll në vilën e Ergys Agasit, ku në kantinë është konstatuar një koleksion verash me vlerë të paktën 3 milionë euro. Menjëherë pas kësaj, prokuroria ka njoftuar doganat për sekuestrimin e mallit.
Por, sipas denoncimit, doganat i janë përgjigjur prokurorisë duke deklaruar se ishte “shumë vonë” dhe se ndërhyrja do të bëhej të nesërmen në mëngjes. Pikërisht gjatë kësaj kohe, sipas informacioneve që Shehaj bën publike, janë njoftuar të afërmit e Agasit, të cilët kanë shkuar në kantinë, kanë marrë verërat, kanë prishur provat, kanë dëmtuar kamerat e sigurisë dhe janë larguar.
Të nesërmen, doganat janë paraqitur në vendngjarje dhe kanë deklaruar se nuk kishte më asnjë mall për t’u sekuestruar.
“Kjo është arsyeja pse SPAK kërkon arrestimin e të akuzuarve,” thekson Shehaj, duke e cilësuar rastin si shembull flagrant të bashkëpunimit mes shtetit dhe krimit të organizuar.
Ai shton se kjo situatë duhet të alarmojë çdo qytetar, pasi nëse provat zhduken në këtë mënyrë në një rast kaq të qartë, imagjinata shkon më tej për atë që mund të ndodhë në institucione të tjera shtetërore.
“Imagjinoni sesi prishen provat nga drejtues të KESH-it, OSHEE-së apo AKSH-it, të cilët janë nën hetim. Disa prej tyre janë në arrest shtëpie, por nuk preken,” deklaron ai.
Shehaj akuzon drejtpërdrejt kryeministrin se po mbron zyrtarë të lartë të dyshuar për korrupsion, përfshirë edhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku, për të cilën, sipas tij, SPAK ka kërkuar arrestim.
“Imagjinoni sesi i prish provat Belinda Balluku, kur dihet që Rama e ka marrë në mbrojtje. Kjo është ajo që po ndodh në Shqipëri: i gjithë shteti është vendosur kundër SPAK-ut dhe në mbrojtje të të korruptuarve,” shprehet Shehaj.
Në përfundim, ai e cilëson situatën si të papranueshme dhe bën thirrje për reagim të menjëhershëm politik, duke deklaruar se vendi nuk mund të vazhdojë në këtë mënyrë dhe se përgjegjësia politike duhet të mbahet deri në fund.
