“Izolim Politik dhe Trajtim Çnjerëzor”: Xhixho Publikon Dy Raporte Zyrtare që Tronditin Shtetin për Rastin Ilir Meta

Data

Zv/presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka deklaruar se dy raporte zyrtare të Avokatit të Popullit përbëjnë alarmin më të fortë institucional për shkelje të rënda ndaj Ilir Metës, duke i cilësuar ato si prova të qarta të izolimit politik dhe trajtimit çnjerëzor.

Sipas saj, raporti i parë, i publikuar në gusht 2025, dokumenton atë që ajo e përshkruan si rrëmbim kriminal në mes të ditës të një ish-Presidenti, ish-Kryeministri dhe ish-Kryetari të Kuvendit. Raporti evidenton përdorimin e paligjshëm dhe disproporcional të forcës nga Forcat Speciale Operacionale ndaj një personi të paarmatosur dhe pa rrezikshmëri shoqërore.

Xhixho thekson se efektivët ishin të maskuar, pa shenja identifikuese, pa kamera trupi dhe me mjete private, në shkelje flagrante të ligjit. Sipas raportit, nuk është mbajtur dokumentacion i rregullt për shoqërimin, nuk janë komunikuar të drejtat ligjore, nuk është garantuar kontakti me avokatin dhe vendimi gjyqësor nuk është bërë i ditur në kohë.

Ajo shton se përdorimi i forcës ka qenë degradues dhe në kundërshtim të hapur me dinjitetin njerëzor, ndërsa e gjithë ngjarja, sipas saj, është shoqëruar me një inskenim publik përmes kamerave, për të prodhuar frikë dhe presion politik.

Raporti i dytë, i publikuar në nëntor 2025, sipas Xhixhos, konfirmon zyrtarisht se Ilir Meta mbahet i burgosur politikisht, pa fakte dhe prova penale, në kushte që shkelin Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, Kushtetutën dhe ligjin shqiptar.

Në këtë raport evidentohen kufizime të rënda dhe arbitrare të takimeve familjare, ndalimi i vizitave të deputetëve dhe eurodeputetëve, pengimi i kontakteve me drejtuesit e partisë si dhe bllokimi i komunikimit me median. Sipas saj, këto masa cenojnë drejtpërdrejt lirinë e shprehjes, organizimin politik dhe transparencën.

Xhixho thekson se, sipas Avokatit të Popullit, të paraburgosurit duhet të gëzojnë një regjim më të lirë mbi bazën e prezumimit të pafajësisë, ndërsa ajo që ndodh në këtë rast përshkruhet si praktikë e një shteti represiv që përdor drejtësinë si mjet hakmarrjeje politike.

Në përfundim, Partia e Lirisë kërkon fundin e menjëhershëm të izolimit politik, zbatimin e plotë të rekomandimeve të Avokatit të Popullit dhe respektimin pa kushte të të drejtave themelore të njeriut, duke theksuar se Shqipëria europiane nuk ndërtohet mbi frikë, dhunë dhe censurë, por mbi demokraci, shtet të së drejtës dhe dinjitet njerëzor.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related