Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka lëshuar një paralajmërim të prerë për qytetarët që tentojnë të sigurojnë dokumente emigracioni përmes martesave fiktive.
Në mesazhin e saj zyrtar, theksohet se mashtrimi përmes martesës për qëllime emigracioni përbën një krim federal në Shtetet e Bashkuara dhe shoqërohet me pasoja serioze ligjore për të gjithë personat e përfshirë.
Sipas paralajmërimit, këto praktika nuk tolerohen nga autoritetet amerikane dhe mund të çojnë në ndëshkime të rënda, përfshirë ndalim të përhershëm të hyrjes në SHBA dhe ndjekje penale sipas ligjit federal.
Ambasada u bën thirrje qytetarëve që të mos bien pre e skemave mashtruese dhe të ndjekin vetëm rrugët ligjore të emigracionit. Respektimi i procedurave zyrtare mbetet e vetmja mënyrë e sigurt për të hyrë në Shtetet e Bashkuara dhe për të siguruar dokumentacionin përkatës.
“Zgjidhni gjithmonë një proces të ligjshëm emigracioni për të hyrë në vend dhe për të marrë dokumentet e duhura,” përfundon mesazhi paralajmërues.
