Skandali i AKSHI-t vijon të marrë përmasa gjithnjë e më të rënda. Prokuroria e Tiranës ka shpallur në kërkim Eno Agasin, kushëririn e biznesmenit Ergys Agasi, në një çështje që ngre dyshime serioze për zhdukje provash dhe manipulim të hetimit.
Sipas informacioneve, urdhri i arrestit ndaj Eno Agasit është dhënë nga prokuroria, pasi ai dyshohet se ka hequr verën me vlerë miliona euro, e cila ishte sekuestruar më herët në kantinën e Ergys Agasit.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se pas inventarizimit zyrtar, vera ishte lënë në ambientet e kantinës, pasi nuk mund të transportohej gjatë natës për shkak të procedurave doganore. Por kur autoritetet janë rikthyer të nesërmen për ta marrë, ajo rezultonte e zhdukur.
Ndërkohë, vetë Ergys Agasi vijon të jetë në kërkim, pasi akuzohet se ka krijuar një grup të strukturuar kriminal për manipulimin e tenderave të AKSHI-it, në bashkëpunim me biznesmenin Ermal Beqiri. Sipas akuzës, aktiviteti kriminal përfshinte edhe përdorimin e dhunës dhe pengmarrjes për të kontrolluar proceset tenderuese.
SPAK akuzon Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë pastrim parash, shkelje të barazisë në tendera në formën e bashkëpunimit kriminal, heqje të paligjshme të lirisë, konkurrencë të paligjshme përmes dhunës, si dhe krijim dhe funksionim të një grupi të strukturuar kriminal.
Sipas njoftimit zyrtar, ndaj njërit prej të hetuarve është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, e cila ende nuk është ekzekutuar, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës kriminale dhe përgjegjësive konkrete të personave të përfshirë.
Çështja e AKSHI-t po shndërrohet në një nga skandalet më të rënda të viteve të fundit, me dyshime për zhvatje, manipulim tenderash dhe zhdukje provash, ndërsa autoritetet pritet të dalin me zhvillime të reja në ditët në vijim.
