Ambasadori i ri i Britanisë së Madhe flet shqip, Nick Abbott zbarkon në Tiranë

Data

Ambasadori i ri i Britanisë së Madhe ka mbërritur në Tiranë dhe ka zhvilluar një tur në atraksionet kryesore të vendit, ndër to memoriali i Skënderbeut në Lezhë. Nick Abbott përshëndet në shqip në videomesazhin që ndan selia diplomatike në Tiranë.

Ai premton fillimin e një kapitulli të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve, duke theksuar se partneriteti mes Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë do kalojë në “lartësi” të reja.

“Jam këtu për të ngritur partneritetin tonë në lartësi të reja. Ne kemi një themel të fortë, ndaj le të ndërtojmë diçka të jashtëzakonshme së bashku. Ide më të mëdha, lidhje më të forta, të ardhme të ndritur. Një partneritet i vërtetë”, shprehet ai.

Ambasadori Nick Abbott është takuar me Presidentin Bajram Begaj, teksa i ka dorëzuar kredencialet, ka parë nga afër Piramidën dhe disa nga rrugët me të veçanta të Tiranës, ku ndodhet Ambasada e Kosovës dhe ajo e Ukrainës.

“Heroi juaj kombëtar, Skënderbeu, është shembull i jashtëzakonshëm i dashurisë dhe dedikimit të palëkundur për vendin e tij, duke mishëruar frymën e patriotizmit dhe guximit për të mbrojtur atë që beson”, shprehet diplomati Nick Abbott.

Ai thotë se këtë javë në Tiranë do të festohet Java e Britanisë dhe kjo do të jetë një mundësi fantastike, thotë ai, për të gjithë ata që kërkojnë të përjetojnë pak nga kultura britanike në Shqipëri.

“Mbretëria e Bashkuar është mik i angazhuar për Shqipërinë. Ne jemi këtu për të mbështetur Shqipërinë në përmbushjen e potencialit të saj”, shprehet ndër të tjera ambasadori i ri britanik, në videomesazhin e tij prezantues. Ai premton se në muajt e ardhshëm do të vizitojë edhe qytetet e tjera të vendit.

“Në muajt e ardhshëm do të më shihni duke eksploruar vendin tuaj të bukur, nga qytetet e zhurmshme te malet mahnitëse, tek bregdeti i mrekullueshëm, me qëllim t’ju njoh ju, njerëzit që e bëjnë Shqipërinë një vend kaq të veçantë”, përmbyll ambasadori Nick Abbott.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related