Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila ndodhet nën hetim për afera të dyshuara korruptive.
Në podkastin e tij “Flasim”, Rama u shpreh se prokurorët kanë vepruar me nxitim duke iu drejtuar Kuvendit për masa që ai i cilëson ekstreme, ndërkohë që më 22 janar çështja pritet të shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas tij, shumica qeverisëse dhe parlamentare nuk do ta shqyrtojë kërkesën e SPAK përpara përfundimit të procesit në Gjykatën Kushtetuese.
“Nuk ka asnjë gjasë që ne ta shqyrtojmë këtë kërkesë të ngutur për masa të reja ekstreme. Drejtësia nuk vrapon, drejtësia gjykon”, deklaroi Rama.
Ai theksoi se, në çdo shtet të së drejtës, nuk kërkohen masa të reja sigurie pa u mbyllur më parë gjykimi për masën ekzistuese, duke shtuar se pezullimi i një anëtari të qeverisë me kërkesë të prokurorisë është një masë antidemokratike dhe antikushtetuese.
Rama shtoi se nuk do të ketë asnjë veprim nga ana e shumicës parlamentare deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Nga ana tjetër, SPAK argumenton se kërkesa për heqjen e imunitetit lidhet me rrezikun e prishjes së provave, ndikimin mbi dëshmitarët dhe mundësinë e kryerjes së veprave të tjera penale, pasi hetimet janë zgjeruar edhe në procedura të tjera prokurimi dhe koncesioni.
Sipas prokurorisë, dokumentacioni kryesor ndodhet në institucionin që drejtohet nga Balluku, çka përbën rrezik për mbledhjen dhe integritetin e provave.
Megjithatë, kryeministri e bëri të qartë se kërkesa e SPAK nuk do të merret në shqyrtim në Kuvend në këtë fazë.
