Gjekmarkaj në Kurbin: Më 22 dhjetor të marrim në dorë fatin tonë, protesta do jetë shembullore

Data

Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ishte sot i pranishëm në foltoren e mbajtur nga Sali Berisha me demokratët e Kurbinit, ku u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen në protestën e 22 dhjetorit në Tiranë.

Në fjalën e tij, Gjekmarkaj theksoi se Shqipëria po përballet me një situatë të rëndë politike, ekonomike dhe morale, duke akuzuar qeverinë për korrupsion, varfërim të qytetarëve dhe largim masiv nga vendi.

Ai e cilësoi këtë moment si një “dhjetor të dytë”, duke e krahasuar me dhjetorin e vitit 1990, kur shqiptarët, sipas tij, morën në dorë fatin e vendit dhe rrëzuan diktaturën.

“Sot Shqipëria po vidhet dhe po fiket. Është koha që demokratët dhe qytetarët e ndershëm të marrin fatin e vendit në dorë. Ju mbetet të na udhëhiqni nga një dhjetor në tjetrin, për një Shqipëri europiane, një ëndërr që na rrëmbehet sa herë që pushteti bie në duar të gabuara”, u shpreh Gjekmarkaj.

Ai vlerësoi qytetarët e Kurbinit për qëndresën e tyre dhe për faktin se, sipas tij, nuk e shitën votën, por u përballën me presionin dhe fituan dinjitetin.

“Kurbini e ka thënë fjalën e vet dhe do ta thotë sërish të hënën. Kjo është një qeveri pushtuese që po i zë frymën Shqipërisë, po varfëron familjet dhe po dëbon njerëzit nga atdheu”, tha deputeti demokrat.

Në përfundim, Gjekmarkaj u shpreh i bindur se protesta e 22 dhjetorit do të jetë shembullore dhe një pikë kthese për opozitën dhe qytetarët, duke kërkuar fundin e korrupsionit, skandaleve dhe keqqeverisjes.

“Të hënën, më 22 dhjetor, protesta në Tiranë do të jetë shembullore. Do të jetë momenti për të marrë në dorë fatin tonë. Mjaft korrupsion, mjaft skandale, mjaft me njerëz të paaftë në zyrat e shtetit”, përfundoi ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related