Broja shpërthen në fund, goli i parë në Premier Ligë vjen me kokë dhe ndez festën te Bërnli

Data

Armando Broja ka gjetur më në fund rrugën e rrjetës në Premier Ligë, duke shënuar golin e tij të parë me fanellën e Bërnlit në minutën e 90-të të sfidës ndaj Bërnmuth.

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare u aktivizua nga stoli në minutën e 65-të dhe rezultoi vendimtar, duke i dhënë skuadrës së tij një pikë të artë pas disa javësh të vështira. Goli i Brojës vendosi baraspeshën 1-1 dhe nxori Bërnlin nga një seri rezultatesh negative.

Ajo që e bën këtë gol edhe më të veçantë është mënyra e realizimit. Si rrallëherë për të, Broja shënoi me kokë, duke befasuar mbrojtjen kundërshtare dhe duke shpërthyer në një festë të çmendur së bashku me shokët e skuadrës dhe tifozët.

Ky ishte një moment shumë i rëndësishëm për sulmuesin kuqezi, pasi goli në kampionatin anglez mungonte prej dy vitesh. Aktivizimi dhe impakti i tij në fundin e ndeshjes treguan se Broja po rifiton formën dhe besimin, duke u kthyer sërish protagonist në një nga ligat më të forta të futbollit botëror.

Bërnli mbylli ndeshjen me barazim, por për Brojën dhe ekipin e tij kjo pikë kishte shijen e fitores.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related