Mediu alarmon për “Smart City”: Rrezik survejimi masiv dhe abuzim me të dhënat e qytetarëve

Data

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka ngritur shqetësime të forta lidhur me projektin “Smart City” dhe planin për vendosjen e mijëra kamerave të vëzhgimit në të gjithë vendin, duke e cilësuar atë si një rrezik serioz për privatësinë e qytetarëve dhe sigurinë kombëtare.

Sipas Mediut, prezantimi i projektit si një masë për luftën kundër krimit krijon një ndjenjë të rreme sigurie, pasi pa institucione të forta, të pakorruptuara dhe funksionale, teknologjia nuk garanton rend dhe drejtësi. Ai thekson se në një shtet demokratik, mbrojtja e privatësisë është detyrim kushtetues dhe ligjor, ndërsa survejimi masiv i qytetarëve bie ndesh me këto parime.

Mediu vuri theksin te mungesa e një ligji për kontrollin e sigurisë së investimeve të huaja, duke theksuar se Shqipëria është ndër vendet e pakta në rajon që nuk aplikon verifikim të thelluar të kompanive që marrin përsipër projekte të ndjeshme. Sipas tij, ekziston rreziku që rrjetet e kamerave dhe infrastruktura kritike të ndërtohen nga kompani që nuk përmbushin standardet e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, ose që vijnë nga vende me interesa të kundërta me sigurinë kombëtare shqiptare.

Ai kujtoi edhe skandalin e AKSHI-t, duke e cilësuar si provë se jo vetëm korrupsioni, por edhe siguria e informacionit dhe e të dhënave shtetërore mund të cenohet rëndë. Mediu paralajmëroi se sisteme të tilla survejimi, të lidhura me serverë të centralizuar dhe operatorë privatë, mbajnë sasi të mëdha të dhënash sensitive, të cilat mund të keqpërdoren, të manipulohen ose të bien në duar kriminale.

Sipas tij, rreziqet përfshijnë akses të paautorizuar në sistem, transferim të fshehtë të të dhënave, manipulim të pamjeve filmike për qëllime politike apo kriminale, si dhe sulme kibernetike ndaj infrastrukturës publike. Ai shtoi se në vende ku ligji nuk respektohet dhe ku krimi ka ndikim, këto sisteme mund të shndërrohen në mjete shantazhi dhe kontrolli politik.

Në këtë kontekst, Mediu kërkoi transparencë të plotë nga qeveria dhe përfshirjen e Parlamentit dhe Komisionit të Sigurisë, për të garantuar që çdo projekt i tillë të jetë në përputhje me detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe me standardet evropiane.

Ai theksoi se siguria reale nuk vjen nga kamerat, por nga një shtet ligjor funksional, institucione të pavarura dhe respektimi i lirive dhe të drejtave të qytetarëve. Sipas tij, vetëm pasi këto kushte të jenë përmbushur, teknologjia mund të shërbejë si mbështetje dhe jo si mjet survejimi masiv.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related