Erdogan: Turqia nuk kërkon territore, por do të mbrojë pa kompromis të drejtat e saj

Data

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se vendi i tij nuk ka ambicie territoriale ndaj asnjë shteti, por paralajmëroi se Ankaraja nuk do të tolerojë shkeljen e të drejtave dhe interesave kombëtare. Deklarata u bë gjatë një ceremonie zyrtare ku u vunë në shërbim të Marinës Turke mjete të reja ushtarake.

Në prani të autoriteteve shtetërore dhe ushtarake, Erdogan dorëzoi një nëndetëse të re, një mjet zbarkimi dhe një mjet detar pa pilot, duke theksuar se forcimi i kapaciteteve mbrojtëse ka për qëllim ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal, jo përshkallëzimin e konflikteve.

“Nuk kemi synime ndaj territoreve apo sovranitetit të askujt. Nuk kërkojmë tension, kriza apo përplasje me asnjë vend. Ajo që duam është paqe, siguri dhe stabilitet për veten dhe fqinjët tanë”, u shpreh Erdogan.

Ai shtoi se investimet në industrinë e mbrojtjes nuk lidhen me përgatitje për luftë, por me mbrojtjen e pavarësisë, sigurisë kombëtare dhe të ardhmes së Turqisë. Sipas tij, Ankaraja do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri për të garantuar interesat e saj strategjike.

Gjatë fjalës së tij, presidenti veçoi rëndësinë e nëndetëses së re TCG Hızırreis, e pajisur me teknologji të avancuar shtytjeje anaerobe, duke e cilësuar si një element kyç të mbrojtjes detare turke. “Kjo nëndetëse do të jetë mbrojtësi i heshtur i thellësive detare dhe një shtyllë e sigurisë sonë kombëtare”, tha ai.

Në përdorim u vendos gjithashtu edhe mjeti zbarkues Ç-159, i projektuar për operime në kushte të vështira detare, i cili do të përdoret si në misione ushtarake ashtu edhe në operacione humanitare gjatë kohës së paqes.

Erdogan ndaloi edhe te mjeti detar i armatosur pa pilot ULAQ, duke e cilësuar atë si simbol të transformimit teknologjik dhe të sistemeve autonome në ushtrinë turke. Sipas tij, ULAQ përfaqëson të ardhmen e operacioneve detare dhe mbështetet në teknologji të zhvilluara kryesisht nga industria vendase, me mbi 90% prodhim turk.

Në përfundim, presidenti theksoi se Turqia do të vazhdojë të forcojë kapacitetet e saj mbrojtëse, duke ndjekur një politikë që synon paqen, por pa hequr dorë nga mbrojtja e interesave të saj kombëtare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related