“Janë kapur me palmë në dorë, jo me gjethe palme” – Artan Hoxha: Flitet për 300 apartamente, Balluku po dërgon mesazhe

Data

Gazetari Artan Hoxha ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Kjo Javë”, ku komentoi zhvillimet më të fundit lidhur me dosjen ndaj Belinda Ballukut dhe ekstraktet e publikuara në media nga hetimet.

Hoxha u shpreh se niveli i korrupsionit që po del në dritë është i paimagjinueshëm më parë dhe se, sipas tij, në këtë rast nuk ka më nevojë për fakte shtesë. Ai theksoi se dosja është shumë voluminoze dhe se përmenden shifra tronditëse, përfshirë rreth 300 apartamente, të cilat sipas tij do të kishin mjaftuar për të strehuar familjet e mbetura pa banesë nga tërmeti.

“Këtu është bërë nami. Janë kapur me palmë në dorë, jo me gjethe palme. Me 300 shtëpi do ishin sistemuar të pastrehët nga tërmeti. Duhet parë si ka funksionuar e gjithë skema”, u shpreh Hoxha, duke shtuar se opozita ka të drejtë ta shfrytëzojë politikisht këtë situatë.

Gazetari deklaroi gjithashtu se po hetohet sistemi bankar i nivelit të dytë në Shqipëri dhe se janë dërguar letra porosi në disa shtete, aty ku, sipas tij, çojnë gjurmët financiare. Ai nënvizoi se korrupsioni jo vetëm që ka qenë i madh, por edhe i demonstruar hapur, pa u fshehur.

Sipas Hoxhës, Belinda Balluku po u dërgon mesazhe personave që kanë përfituar nga këto skema, duke lënë të kuptohet se nëse ajo përfundon në qeli, nuk do të shkojë e vetme. “Ajo po çon mesazhe dhe po thotë: unë po iki dhe do t’ju marr me vete”, deklaroi gazetari.

Në fund, Hoxha theksoi se bëhet fjalë për para publike, të qytetarëve më të varfër të Evropës, dhe se kjo e bën çështjen edhe më të rëndë moralisht dhe politikisht.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related