Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e sotme përdorimin e fondeve të rindërtimit në kuadër të pasojave të tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019, për bashkitë Durrës dhe Shijak.
Sipas vendimit të qeverisë, mbi 220 milionë lekë do të përdoren për rikonstruksionin dhe riforcimin e banesave individuale të dëmtuara nga tërmeti. Konkretisht, 169 850 000 lekë pa TVSH janë akorduar për Bashkinë Durrës, për financimin e rikonstruksionit të njësive individuale të banimit.
Ndërkohë, për Bashkinë Shijak janë miratuar 5 314 932,40 lekë pa TVSH, që do të përdoren për riforcimin e banesave individuale të klasifikuara me shkallë dëmi DS4. Këto banesa nuk kërkojnë rindërtim nga e para, por punime rikonstruksioni, bazuar në akt-ekspertizat e thelluara.
Efekti financiar për Bashkinë Shijak do të përballohet nga fondi i rindërtimit i miratuar për vitin 2025 dhe do t’i transferohet bashkisë në formën e transfertës së pakushtëzuar.
Dy zona të reja përfshihen në “Paketën e Maleve”
Gjatë së njëjtës mbledhje, Këshilli i Ministrave ka shpallur edhe dy zona të reja me përparësi zhvillimi në kuadër të “Paketës së Maleve”. Zonat përkatëse ndodhen në territorin e bashkive Klos dhe Vau i Dejës.
Sipas vendimit, këto zona shpallen “Zona me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore”, ku do të lejohen aktivitete të zhvillimit ekonomik, industrial dhe turistik, me synim nxitjen e investimeve dhe zhvillimit të qëndrueshëm në zonat malore të vendit.
