Një 22-vjeçar shqiptar është arrestuar në qytetin Cesena të Italisë, pasi dyshohet se ishte pjesë e një rrjeti për trafikimin dhe shpërndarjen e kokainës.
Sipas autoriteteve italiane, arrestimi u krye nga karabinierët e Cesenatico-s, pas vëzhgimeve të zgjatura ndaj lëvizjeve të dyshimta të të riut me automjetin e tij. Mjeti rezultonte në pronësi të një personi me precedentë penalë dhe ishte nën monitorim për shkak të aktivitetit të dyshuar kriminal.
Gjatë kontrollit të automjetit, efektivët gjetën rreth 150 gramë kokainë, të ndarë në doza dhe të fshehura në panelin e kontrollit të makinës. Bashkë me lëndën narkotike u sekuestruan edhe pajisje të posaçme për paketimin e saj.
Kontrollet u shtrinë edhe në banesën e 22-vjeçarit, ku u gjetën materiale të tjera që shërbenin për përgatitjen dhe ndarjen e dozave të drogës. E gjithë sasia e lëndës narkotike dhe sendet e përdorura për trafikimin u sekuestruan nga autoritetet.
Në përfundim të veprimeve, i riu u arrestua dhe, me urdhër të prokurorisë, u dërgua fillimisht në burg në pritje të seancës për verifikimin e masës së sigurisë. Pas procedurës së përshpejtuar gjyqësore, gjykata vendosi masën e arrestit shtëpiak, duke i aplikuar edhe byzylyk elektronik për monitorim.
