Tensione dhe përplasje janë shënuar në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku po shqyrtohet kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit dhe më pas arrestimin e zv/kryeministres Belinda Balluku. Shkak i debatit është bërë USB-ja që përmban provat dhe aktet hetimore të depozituara nga Prokuroria e Posaçme në Kuvend.
Prokurorët e SPAK kanë sqaruar se materialet e ruajtura në USB mund të aksesohen vetëm nga anëtarët e Këshillit të Mandateve, duke theksuar se bëhet fjalë për prova që lidhen me hetime aktive dhe që mbulohen nga sekreti hetimor. Sipas tyre, anëtarët e këshillit kanë të drejtë t’i shqyrtojnë provat dhe madje t’i marrin materialet me vete, por jo t’i shpërndajnë apo t’i nxjerrin jashtë procedurës ligjore.
Burime nga mbledhja bëjnë me dije se opozita ka kërkuar që materialet të shqyrtohen edhe pas përfundimit të seancës, duke argumentuar se përmbajtja e dosjes është voluminoze dhe kërkon kohë për t’u analizuar. Nga ana tjetër, socialistët kanë këmbëngulur që asnjë material i sjellë nga SPAK të mos dalë jashtë sallës së mbledhjes.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka deklaruar se provat mund t’u vihen në dispozicion vetëm anëtarëve demokratë që janë pjesë e Këshillit të Mandateve, por pa u lejuar që këto materiale të dalin nga ambientet e mbledhjes.
Situata është komplikuar më tej nga kërkesa e avokatit të Belinda Ballukut, Ardian Kalia, i cili ka kërkuar shtyrjen e mbledhjes, me argumentin se ka nevojë për më shumë kohë për t’u njohur në mënyrë të plotë me materialet e depozituara nga SPAK.
Sipas burimeve, aktualisht palët po diskutojnë seriozisht mundësinë e shtyrjes së mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, në një moment kyç për fatin politik dhe penal të zv/kryeministres. Vendimi përfundimtar pritet të merret pas konsultimeve mes anëtarëve të këshillit dhe përfaqësuesve të SPAK.
