Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shprehur qëndrimin e tij ndaj Prokurorisë së Posaçme pas ndryshimit të drejtimit të SPAK, duke theksuar se mbështet dhe admiron çdo prokuror apo hetues që zbaton ligjin dhe Kushtetutën.
Në një deklaratë për mediat, Berisha përgëzoi hapur hetuesit dhe prokurorët që po ndjekin dosjen e zv/kryeministres Belinda Balluku, duke nënvizuar se marrja e saj si e pandehur është një akt guximi profesional.
“Prokurorë të guximshëm, hetues të guximshëm, paraqitën dhe morën të pandehur zv.kryeministren. I përgëzoj ata”, u shpreh Berisha.
Kreu i PD-së deklaroi gjithashtu se prokurori që po heton dosjen e Ballukut ka marrë kërcënime të shumëfishta, duke e cilësuar situatën si jashtëzakonisht të rëndë dhe alarmante për shtetin e së drejtës.
“Ky prokurori i dosjes së Lubisë ka marrë kërcënime të shumëfishta. I them Edi Ramës: do të përgjigjesh personalisht nëse i ndodh gjëja më e vogël. Ata janë të mbrojtur nga ligji dhe mos guxo të ushtrosh presion ndaj tyre”, deklaroi Berisha.
Ai theksoi se gjatë gjithë karrierës së tij politike ka pasur një qëndrim të pandryshuar ndaj drejtësisë, duke nënvizuar se ligji dhe Kushtetuta kanë qenë gjithmonë baza e besimit të tij politik.
“Kurrë nuk kam pasur qëndrim tjetër ndaj atyre që zbatojnë ligjin. Admirim për çdo burrë, grua, djalë apo vajzë që zbaton ligjin. Krimi dhe kriminelët nuk meritojnë asnjë ditë në poste publike, por të përballen me drejtësinë”, tha Berisha.
Në deklaratën e tij, ai krahasoi standardet e së kaluarës me situatën aktuale, duke përmendur raste kur zyrtarë të lartë kishin dhënë dorëheqjen pa qenë nevoja e ndërhyrjes së Prokurorisë.
“Sot kemi një situatë ku drejtësia sulmohet, kërcënohet dhe tentohet të bllokohet. Por ka ende njerëz që i qëndrojnë ligjit dhe nuk mposhten”, shtoi Berisha.
Ai paralajmëroi se çdo tentativë për të penguar apo intimiduar prokurorët do të përballej me reagim të fortë politik dhe publik, duke e cilësuar mbrojtjen e drejtësisë si një betejë themelore për demokracinë dhe shtetin ligjor në Shqipëri.
