Berisha shpërthen ndaj Ballukut: 300 apartamente, dy jahte dhe dhjetëra milionë euro – t’i falet Zotit që Shqipëria s’ka dënim me vdekje

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza tejet të rënda ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke e akuzuar për grabitje të parave publike dhe pasuri të pajustifikueshme të ndërtuara, sipas tij, përmes korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin.

Në një deklaratë të fortë politike, Berisha renditi atë që e quajti pasuri marramendëse të Ballukut, duke përmendur 300 apartamente, dy jahte luksoze, vila dhe dhjetëra, në mos qindra milionë euro në llogari bankare. Sipas tij, këto pasuri nuk mund të justifikohen në asnjë mënyrë ligjore.

“Cili shqiptar mund ta imagjinonte se ajo ka shndërruar paratë e grabitura në 300 apartamente? Dhe këto janë vetëm apartamentet. Po jahtet, dy jahte. Po vilat, po kontot bankare me dhjetëra milionë euro,” u shpreh Berisha, duke shtuar se përfaqësues të tillë të pushtetit “duhet t’i falen Zotit që Shqipëria nuk ka dënimin me vdekje”.

Berisha theksoi se dosja ndaj Ballukut përmban prova të shumta dhe se ekziston vetëm një element sekret, i cili, sipas tij, po mbahet i tillë në interes të procesit hetimor. Ai kundërshtoi kategorikisht çdo përpjekje për zhvillimin e seancave me dyer të mbyllura, duke deklaruar se qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të dinë të vërtetën për atë që ai e cilëson si “vjedhje masive”.

Në deklaratën e tij, Berisha akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama, duke thënë se Balluku ka qenë “thjesht një shërbëtore” e tij dhe se urdhrat e Ramës, sipas Berishës, ndodhen të dokumentuara në dosje. Ai përmendi edhe raste të tjera që, sipas tij, tregojnë një rrënim të shtetit dhe kapje totale të institucioneve.

Në përfundim, Berisha i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen menjëherë, duke deklaruar se situata është kthyer në një krizë të thellë morale, institucionale dhe kombëtare, ndërsa premtoi se Partia Demokratike do të udhëheqë qytetarët “me vendosmërinë më të madhe” përballë kësaj situate.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related