“I jepni fytyrat e krimit dhe sistemi i ndjek vetë” – Rama: Gjobat bëhen të pashmangshme, Smart City i sjell shkelësit rresht në ekran

Data

Kryeministri Edi Rama ka dhënë detaje të reja mbi funksionimin e projektit “Smart City”, duke theksuar se sistemi i monitorimit me kamera inteligjente do të ndryshojë rrënjësisht mënyrën e ndjekjes së krimit dhe shkeljeve në hapësirat publike.

Sipas Ramës, pasi sistemit t’i vihen në dispozicion “fytyrat e krimit”, teknologjia do të jetë në gjendje t’i ndjekë automatikisht individët e përfshirë në veprimtari të paligjshme, pa pasur nevojë për ndërhyrje të vazhdueshme njerëzore. Ai e krahasoi funksionimin e sistemit me një identifikim të menjëhershëm, ku sapo kamera njeh një person të skeduar, sinjalizon vendndodhjen e tij.

Kryeministri theksoi se ky projekt do të rrisë ndjeshëm transparencën, veçanërisht në rrugët kombëtare, ku sipas tij ka pasur shpesh raste të mbylljes së syve nga strukturat përgjegjëse për shkelje, ndërtime të paligjshme apo dëmtime të infrastrukturës. Me sistemin e ri, asnjë punonjës nuk do të ketë më mundësi të injorojë shkeljet, pasi çdo veprim do të jetë i dokumentuar dhe i monitoruar në kohë reale.

Rama u ndal edhe te problematika e hedhjes së mbeturinave, sidomos gjatë sezonit turistik, duke thënë se kjo dukuri do të bëhet praktikisht e pamundur. Ai shpjegoi se deri tani zbatimi i gjobave ka qenë i vështirë, pasi kërkonte kapjen në flagrancë të individit. Me “Smart City”, sipas tij, sistemi nuk sjell më pamje të paidentifikuara, por fytyra tashmë të njohura dhe të regjistruara, duke e bërë ndëshkimin të pashmangshëm.

“Ky sistem nuk të sjell njerëz që duhet t’i identifikosh, por njerëz të identifikuar. I jep fytyrat e krimit dhe ai i ndjek vetë”, u shpreh Rama, duke shtuar se teknologjia do t’i “sjellë shkelësit rresht në ekran”, duke garantuar zbatim real të ligjit dhe kontroll më të fortë në të gjithë territorin.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related