Rama zbulon prapaskenat e TikTok për Politico: Ndalimi 1-vjeçar nuk zgjatet, marrëveshje e re me platformën në horizont

Data

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria nuk do ta zgjasë ndalimin njëvjeçar të rrjetit social TikTok, duke konfirmuar se qeveria ka arritur një partneritet të ri me platformën kineze. Deklarata u bë në një intervistë për Politico, nga margjinat e Samitit BE–Ballkani Perëndimor.

Sipas Ramës, bisedimet me drejtuesit e TikTok kanë përfunduar me sukses dhe në javët ose muajt në vijim publikut shqiptar do t’i prezantohen masat e reja mbrojtëse që janë rënë dakord mes palëve. Ai theksoi se qeveria është e kënaqur me rezultatin e negociatave dhe se partneriteti i arritur do të sjellë mekanizma të rinj sigurie.

“Jemi të kënaqur me rezultatin. E kemi bërë partneritetin dhe shpresoj që në javët ose muajt në vijim do t’ia zbulojmë planin popullit shqiptar, siç e premtuam”, u shpreh Rama, duke shtuar se reagimi i TikTok pas vendimit për ndalimin e platformës e kishte befasuar pozitivisht.

Kryeministri tregoi se fillimisht kishte pritur përplasje dhe kundërshtime nga kompania, por sipas tij, drejtuesit e TikTok treguan gatishmëri për dialog dhe dëgjuan me kujdes shqetësimet e ngritura nga pala shqiptare. “I takova vetë dhe mbeta shumë i impresionuar nga qëndrimi i tyre”, tha Rama.

Ai pranoi se ndalimi i TikTok nuk e ka zgjidhur plotësisht problemin e dhunës në shkolla, por theksoi se ka shërbyer për të vendosur baza të reja bashkëpunimi dhe masa mbrojtëse më efektive. Rama përjashtoi gjithashtu mundësinë e kufizimeve të përgjithshme të mediave sociale për të miturit, duke i cilësuar ato si joefektive.

“Këto janë budallallëqe. Nuk funksionon”, tha kryeministri, duke shtuar se pa identifikimin e plotë të përdoruesve, platformat mbeten të ekspozuara ndaj trollëve dhe rrjeteve të automatizuara.

Qeveria shqiptare vendosi ndalimin e TikTok në mars të vitit 2025, pas rreth një viti bisedimesh mbi abuzimin online dhe rreziqet për të miturit. Ngjarja tragjike e vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani pranë një shkolle në Tiranë u konsiderua pika e fundit që çoi në bllokimin e aksesit në platformë.

Vendimi shkaktoi reagime të forta nga opozita dhe organizatat e shoqërisë civile, të cilat e akuzuan qeverinë për censurë dhe kufizim të lirisë së shprehjes. Megjithatë, Rama riafirmoi se Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj standardeve europiane dhe synon anëtarësimin në Bashkimin Europian në vitin 2030, duke theksuar se zgjidhjet do të jenë të balancuara mes sigurisë dhe lirive themelore.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related