Zhvillime të forta politike në Tiranë këtë paradite, teksa SPAK ka kërkuar arrestimin e Belinda Ballukut, ndërsa Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin pritet të shqyrtojë kërkesën për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në këtë klimë tensioni institucional, kryeministri Edi Rama ka mbledhur qeverinë, duke thirrur ministrat e kabinetit në godinën e Kryeministrisë. Mbledhja vjen vetëm pak para diskutimeve në Kuvend, të cilat mund të përcaktojnë fatin politik dhe penal të një prej figurave më të rëndësishme të ekzekutivit.
Ministrat janë parë të hyjnë një e nga një në godinën e qeverisë, ndërsa e pranishme në mbledhje është edhe vetë Belinda Balluku. Ajo është parë teksa zbret nga automjeti dhe hyn në Kryeministri, duke folur në telefon, në një moment kyç për karrierën e saj politike.
Kërkesa e SPAK për arrestimin e Ballukut lidhet me hetime për afera të dyshuara korruptive, ndërsa Kuvendi duhet të vendosë nëse do të japë ose jo autorizimin për heqjen e imunitetit, një hap i domosdoshëm për çdo masë sigurie ndaj një deputeti dhe anëtari të qeverisë.
Vëmendja politike dhe publike është maksimale, ndërsa mbledhja e qeverisë dhe vendimmarrja e Këshillit të Mandateve pritet të japin sinjale të forta për raportin mes pushtetit ekzekutiv dhe drejtësisë në një nga çështjet më të nxehta të viteve të fundit.
