Tension maksimal institucional këtë paradite në Tiranë, teksa Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin pritet të marrë një vendim kyç për zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku. Në prag të mbledhjes, kreu i SPAK, Klodian Braho, së bashku me dy prokurorët e posaçëm, kanë mbërritur në Kryesinë e Kuvendit.
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme shoqërohet nga Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, prokurorët që po hetojnë dosjen penale ndaj Ballukut. Prania e tyre sinjalizon rëndësinë e jashtëzakonshme të këtij momenti procedural, që mund të hapë rrugën për masa të rënda sigurie, si arrest në shtëpi apo arrest në burg.
Këshilli i Mandateve po shqyrton kërkesën zyrtare të SPAK për heqjen e imunitetit parlamentar të Belinda Ballukut, një hap i domosdoshëm për vijimin e procedurave penale ndaj saj. Vendimi i këtij organi do të pasohet më tej nga diskutimi dhe votimi në seancë plenare.
Ndërkohë, Belinda Balluku ndodhet vetëm pak metra larg Kryesisë së Kuvendit, në ambientet e Kryeministrisë, ku më herët u zhvillua mbledhja e Këshillit të Ministrave, e thirrur nga kryeministri Edi Rama. Balluku, e cila është marrë zyrtarisht e pandehur nga SPAK, nuk ka marrë pjesë personalisht në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, por përfaqësohet nga avokati i saj, Ardian Kalija.
Sytë e opinionit publik janë të kthyer nga Kuvendi, ndërsa vendimmarrja e Këshillit të Mandateve pritet të shënojë një pikë kthese historike në raportin mes politikës dhe drejtësisë në Shqipëri.
