Nga podiumi i tubimit festiv në Kavajë, me rastin e 35-vjetorit të themelimit të degës së Partisë Demokratike, kryetari i PD-së, Sali Berisha, u bëri thirrje qytetarëve nga e gjithë Shqipëria që më 22 dhjetor të mblidhen në Tiranë për të rrëzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama.
Berisha theksoi se Kavaja ka një rol historik në përmbysjen e diktaturës komuniste dhe se sot historia, sipas tij, po thërret sërish për një përballje vendimtare. Ai deklaroi se qeveria aktuale qëndron në pushtet jo për shkak të mbështetjes popullore, por sepse qytetarët ende nuk janë ngritur masivisht kundër saj.
“Qytetarë dhe qytetare të Kavajës, historia ju thërret përsëri. Thërret të gjithë shqiptarët që të ngrihemi për të përmbysur diktaturën e dytë. Edi Rama rri në pushtet jo se ka fuqi apo mbështetje, por sepse nuk ngrihemi ne. Por ne do ngrihemi, sepse nuk pranojmë kurrë një regjim hajdut si ky”, u shpreh Berisha gjatë fjalimit.
Lideri i opozitës e cilësoi qeverinë aktuale si një regjim të bazuar në vjedhje dhe korrupsion, duke iu referuar aferave të fundit të hetuara nga SPAK. Ai përmendi konkretisht emrin e Ergys Agasit, në lidhje me dosjen e AKSHI-t, ku sipas tij janë kryer transaksione dhjetëra milionë euro jashtë vendit.
“Një emër që e keni dëgjuar ditët e fundit, Ergys Agasi. Vetëm me një transaksion jashtë shtetit janë vjedhur 50 milionë euro të shqiptarëve. Këto vjedhje janë të pafundme dhe autorët do të marrin atë që meritojnë. Ndaj Kavaja duhet të jetë në krye të kësaj lëvizjeje”, deklaroi Berisha.
Në fjalën e tij, ai krahasoi thirrjen për protestën e 22 dhjetorit me ngjarjet historike të vitit 1991, duke kujtuar mobilizimin masiv që çoi në rrëzimin e regjimit komunist.
“Nuk e harroj kurrë 20 shkurtin e vitit 1991. Njerëzit u nisën natën, në këmbë, që të mos i ndalte diktatura dhe mbërritën në Tiranë për t’u bashkuar me shqiptarët e tjerë. Ashtu si atëherë, edhe sot beteja jonë është pa kthim. Më 22 dhjetor të gjithë në Tiranë për fitoren e Partisë Demokratike dhe fitoren e Shqipërisë”, përfundoi Berisha.
Pas fjalimit politik, aktiviteti në Kavajë vijoi me momente festive, ku u shënua përvjetori i degës së PD-së me prerjen e tortës dhe takime me mbështetësit demokratë.
