Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër pas tensioneve dhe përplasjeve të ndodhura gjatë seancës plenare të sotme në Kuvend, duke akuzuar mazhorancën se po mbron zyrtarë të përfshirë në afera korruptive.
Në një reagim publik, të shoqëruar me pamje nga përplasjet mes deputetëve të opozitës, socialistëve dhe Gardës së Republikës, Bardhi i ka bërë thirrje mazhorancës që të dorëzojë para drejtësisë zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe biznesmenin Ergys Agasi.
“Hajdutët e kanë vendin në burg dhe jo në Qeveri. Parlamenti nuk mund të shndërrohet në strehë për qeveritarë të korruptuar. Dorëzoni Belinda Ballukun para drejtësisë! Dorëzoni Ergys Agasin para drejtësisë!”, shkruan Bardhi.
Sipas tij, ajo që ndodhi sot në Kuvend është pasojë direkte e refuzimit të mazhorancës për t’u përballur me drejtësinë dhe për të lejuar transparencën mbi akuzat e ngritura nga SPAK ndaj zyrtarëve të lartë të qeverisë.
Seanca e sotme plenare, e fundit për këtë vit, zgjati rreth një orë dhe u shoqërua me kaos, tensione dhe përplasje fizike, pasi deputetët e Partisë Demokratike zunë vendet e ministrave, bllokuan sallën dhe u përplasën me Gardën e Republikës. Gjatë protestës brenda Kuvendit u hodhën flakadanë, kartona dhe ujë drejt drejtuesve të seancës.
Deputetët e opozitës kërkuan në sallë praninë e Belinda Ballukut, e cila është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tendera, ndërsa SPAK ka kërkuar autorizim nga Kuvendi për arrestimin e saj. Mazhoranca socialiste vijoi punimet dhe kaloi rendin e ditës për votim, pavarësisht situatës së tensionuar.
Partia Demokratike ka paralajmëruar se aksioni i saj politik do të vijojë, duke e konsideruar Kuvendin të kapur dhe të përdorur si mburojë për zyrtarë të akuzuar për korrupsion.
