Pamje mbresëlënëse vijnë nga Provinca Guizhou në Kinën Jugperëndimore, ku zona të tëra malore janë shndërruar në ferma gjigante diellore, duke ndryshuar rrënjësisht peizazhin dhe ekonominë lokale.
Dikur, banorët e këtyre zonave me lartësi të madhe mbijetojnë kryesisht nga kultivimi i patates dhe perimeve, por prodhimi ishte i ulët për shkak të klimës së ashpër dhe terrenit të vështirë. Sot, këto male janë kthyer në qendra moderne të prodhimit të energjisë së pastër.
Sipas autoriteteve lokale, terreni malor që dikur konsiderohej pengesë zhvillimi, tani është shndërruar në avantazh strategjik. Qeveria ka investuar fuqishëm në energjinë fotovoltaike dhe atë të erës, duke e kthyer Guizhou në një nga zonat më të rëndësishme të energjisë së rinovueshme në Kinë.
Një nga projektet më të mëdha është centrali fotovoltaik i ndërtuar në vitin 2019 në qytetin Erang, Weining, në një nga pikat më të larta të provincës. Ky impiant shtrihet në më shumë se 866 mijë metra katrorë dhe prodhon rreth 53 milionë kilovat-orë energji elektrike në vit.
Përfitimet nuk janë vetëm energjetike. Kompanitë që operojnë impiantet paguajnë qira për tokën, krijojnë vende të reja pune dhe kanë ndihmuar në rikuperimin e mjedisit natyror. Nën panelet diellore kultivohen bimë medicinale dhe perime, duke rritur vlerën e tokës dhe të ardhurat për komunitetin vendas.
Përveç energjisë diellore, edhe energjia e erës ka njohur rritje të shpejtë. Që nga viti 2011, kur u vu në funksion projekti i parë i erës, kapacitetet janë zgjeruar ndjeshëm.
Deri në mesin e këtij viti, kapaciteti total i energjisë së rinovueshme në Guizhou ka arritur 21.8 milionë kilovat, ku mbi 15 milionë kilovat vijnë nga energjia diellore dhe mbi 6 milionë kilovat nga energjia e erës. Parashikimet zyrtare tregojnë se deri në vitin 2025, kapaciteti diellor do të arrijë 31 milionë kilovat, ndërsa ai i erës 10.8 milionë kilovat.
Kina po dëshmon se edhe terrenet më të vështira mund të shndërrohen në motorë të zhvillimit të qëndrueshëm, duke kthyer malet në burim energjie për të ardhmen.
