Tiranë – Dosja e rëndë ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku hyn në një fazë vendimtare, pasi SPAK ka kërkuar nga Kuvendi heqjen e mandatit, duke i hapur rrugë arrestimit të saj.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi se opozita do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Mandateve që zhvillohet nesër dhe se vota e PD-së do të jetë pro drejtësisë.
Në një komunikim për gazetarët, Bardhi u shpreh se:
“Korrupsioni i Ballukut nuk mund të mbyllet në kasafortë.”
Akuza për fshehje provash dhe intimidim
Bardhi akuzoi kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, se po shkel ligjin duke mos vënë në dispozicion të deputetëve aktet e SPAK, duke i shpallur ato në mënyrë të paligjshme si “sekrete”.
Sipas tij, këto dokumente nuk përbëjnë sekret hetimor dhe duhet t’u vihen në dispozicion deputetëve që do të shqyrtojnë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme.
“Ne do marrim pjesë në Këshillin e Mandateve dhe vota jonë është e qartë: pro drejtësisë. Nuk do të ketë asnjë mundësi që në atë Kuvend të mbyllet korrupsioni i Ballukut në kasafortë,” tha Bardhi.
“Balluku po intimidon dëshmitarët”
Një nga akuzat më të forta të kreut të grupit parlamentar të PD-së lidhet me mënyrën se si, sipas tij, po menaxhohet dosja.
Bardhi deklaroi se Belinda Balluku ka siguruar kopje të provave, ndërkohë që deputetëve u mohohet e drejta për t’u njohur me to.
“E dini pse Balluku ka marrë kopje të provave? Sepse kërkon të intimidojë dëshmitarët. Ndërkohë deputetëve që duhet të shqyrtojnë rastin nuk u lejohet të njihen me dokumentet,” u shpreh ai.
Sipas Bardhit, ndalimi për t’u njohur me aktet nuk buron nga ndonjë urdhër i prokurorisë:
“Nuk ka asnjë urdhër të prokurorit që ndalon njohjen me materialet. Ky proces ka nisur me shkelje të rëndë nga kryetari i Kuvendit.”
“Rama është autori”
Në fund të deklaratës, Bardhi hodhi akuza politike të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit:
“Sekret i kanë shpallur Peleshi dhe Rama, sepse Rama është autori.”
Procesi parlamentar për heqjen e mandatit të Belinda Ballukut pritet të nisë zyrtarisht nesër, ndërsa zhvillimet e fundit e kthejnë këtë çështje në një përballje të fortë mes politikës dhe drejtësisë, me pasoja të rënda institucionale.
